Pijet alkoolike në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se mesatarja europiane

Pijet alkoolike në Shqipëri kushtojnë rreth 9% më shtrenjtë sesa mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2020.

E dhëna është bërë e ditur nga Eurostat në publikimin e treguesit për indeksin e nivelit të çmimeve për pijet alkoolike, e llogaritur sipas nivelit të fuqisë blerëse. Për Shqipërinë, ky tregues është 108.9, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 100.

Çmimet e pijeve alkoolike në vend janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, teksa në 2011-n, ato ishin rreth 23.5% më të lira sesa mesatarja e BE-së.

Reklama e sponzorizuar

Pijet alkoolike më të shtrenjtat në rajon për vitin 2020 janë në Bosnjë (144.9), Mal të Zi (111.5) dhe pastaj në Shqipëri. Më lirë ato kushtojnë në Maqedoninë e Veriut (76.2) dhe Serbi (81). Për Kosovën, të dhënat e fundit janë në vitin 2017, sipas të cilës pijet alkoolike kushtojnë sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat, në vitin 2020, çmimi i pijeve alkoolike në të gjithë BE-në ishte më shumë se dy herë e gjysmë më i lartë në shtetin anëtar më të shtrenjtë në krahasim me atë më të lirë.

Kur nivelet e çmimeve krahasohen me indeksin mesatar të nivelit të çmimeve të BE-së 100, rezultatet tregojnë se çmimi i pijeve alkoolike (pije alkoolike, verë dhe birrë) ishte më i larti në Finlandë (me një indeks të nivelit të çmimeve prej 193), i ndjekur nga Irlanda (181) dhe Suedia (166).

Pijet alkoolike më të lirat në Europë i gjeni në Maqedoninë e Veriut (76.2), Rumani (73.8) dhe Hungari (72.7).