Sipas ndërtimtarëve të Kosovës, rritje të madhe të çmimeve në vitin e fundit kanë pasur materialet, transporti dhe puna e ndërlidhur me ndërtim. Nga fillimi i këtij viti është shënuar 60% rritje e çmimit të hekurit. Rritja e materialeve të plastikës, të nevojshme për ndërtimin e banesave, ka shkuar në 80 për qind, ndërsa e produkteve nga druri (dërrasave dhe trerëve) 63%. Rritja e çmimit të stiroporit ka arritur në 62%, ndërsa e çmimit të bllokave në 30 për qind.
Buletini Ekonomik
Çmimi i banesave në ndërtesat kolektive të banimit, pas krizës së pandemisë COVID 19 dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, ka shënuar ngritje të madhe kudo. Po të krahasohen çmimet aktuale që e dominojnë tregun e banesave në Kosovë me çmimet e 1.5-2 vjetve të kaluara, del që ato të jenë dyfish e përtej më të larta. Ndërsa, në Kosovë, në kryeqytet sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe trendi i ndërtimeve po vazhdon hovshëm, sadoqë ndërtimtarët pretendojnë ta minimizojnë ritmin imponues të ndërtimeve banesore.
Është evidente pra, se në Kosovë gjithandej, në kryeqytet, në qendra te tjera komunale më të mëdha, por edhe në ato më të vogla, po ndërtohet shumë, megjithë faktin se ka kohë që në tregun e banesave në vendin tonë dominon në përmasa goxha të mëdha oferta karshi kërkesës. Megjithatë, siç shihet, dhe siç dëshmojnë edhe të dhënat nga shitblerjet e banesave, krahas dominimit të ofertës dhe çmimeve enorme të larta të tyre, ka edhe goxha kërkesa për shitblerje.
Çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht. Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet me 2.000 e 3.000 euro, dhe përtej këtyre shifrave, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro.
Njësoj me çmime të ngritura shumë, shiten edhe banesat në lagjet në afërsi të drejtëpërdrejtë me qendrën, por edhe në zonat më periferike të kryeqytetit, ku një metër katror ka arritur në 1.000 deri në 1.500 euro, çmim ky që në vitin e kaluar sillej nga 750 deri në 850 euro.
Çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm edhe në qendrat e tjera të Kosovës, dhe tani një metër katror në zonat e qendrave komunale thuaja askund nuk mund të gjesh nën 700-900 euro, ndërkohë që në vitet paraprake në qytetet e shumta të Kosovës, edhe përgjatë zonave të qendrës, ka dominuar çmimi prej 400-500 eurosh.
Këto ditë, në kryeqytet, në lagjen “Tophane” shumë afër hekurudhës Prishtinë-Podujevë, siç ka raportuar Buletini Ekonomik, një banesë, ende në ndërtim dhe me afat të përcaktuar të finalizimit të të gjitha punëve dhe dorëzimit të çelësave te blerësi në fund të dhjetorit 2023, u shitble për 1.100 euro metri katror. Banorët rezidentë në këtë lagje, kanë thënë për gazetën tonë se para një viti, po edhe para disa muajsh, këtë banesë blerësi ka mund të bëjë të veten për 800-900 euro metrin katror.
Në kompleksin e banesave të reja te ish-selitë dhe punishtet e “Ramiz Sadikut”, në afërsi të drejtpërdrejtë me Pallatin e Shtypit, një metër katror, që para 1-1.5 viti është shitblerë për 900 dhe e shumta deri në 1.100, tani kushton 1.600 deri në 1.800 euro.
Sipas Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e dytë 2022, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bërë publik kohë më pare, ndërtimet shënuan ngritje për 2.2% në tremujorin e dytë 2022, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Ndërkaq, krahasuar me çmimet e ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje për 19.8%.
Sado që, thuaja askush, as nga ndërtuesit, as nga agjencitë e tregtimit të patundshmërive, nuk flet për nivelin stratosferik të çmimeve që kanë arritur në Kosovë, dhe nuk saktëson çmimin e një banese, sipas llogarive të thjeshta, çmimi i banesave edhe në Kosovë, edhe pse tregu i ndërtimeve duket i ngopur dhe i tejngopur, ka shkuar thuaja rreth përgjysmë më lartë se sa ka qenë bie fjala në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020 dhe shumë më lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Po, çka thonë ndërtimtarët rreth këtyre çmimeve dhe ku janë shkaqet, sipas tyre, për gjithë këtë shtrenjtim të banesave në Kosovë, edhe përkundër faktit se ka ofertë të madhe edhe numerikisht të banesave në treg?
Ndërtimtarët, kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput si pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor, sidomos të hekurit (armëbetonit) dhe të blloqeve e tullave të ndërtimit, i inflacionit dhe i kostos së ndërtimit të një banese. Dhe, është e vërtetë se çmimet e hekurit dhe të materialeve të tjera të nevojshme për një banesë janë ngritur ndjeshëm, sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID 19 dhe sidomos pas eskalimit të luftës ruso-ukrainase.
Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare që përcjellin ekzaktësisht lëvizjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, çmimi i hekurit (armëbetonit) në rajon më 17 qershor ka qenë 1.350 dollarë për një tonelatë. Ndërsa, një tonelatë e hekurit më 9 qershor, ka kushtuar 1.400 dollarë. Nga fillimi i këtij viti, një tonelatë e hekurit çmimin më të lartë në tregjet e rajonit e ka pasur më 4 prill, kur një ton hekur për ndërtimtari ka kushtuar 1.610 dollarë, ndërsa me çmimin më të ulët, ose 1.300 dollarë për një ton, hekuri është tregtuar më 18 maj, kanë transmetuar mediet e rajonit.
Sipas ndërtimtarëve të Kosovës, rritje të madhe të çmimeve në vitin e fundit kanë pasur materialet, transporti dhe puna e ndërlidhur me ndërtim.
Një nga ndërtimtarët potent dhe goxha në zë, në tregun e banesave në Kosovë, por që do të mbetet anonim, për Buletinin Ekonomik ka dhënë shifra konkrete të ngritjes së çmimeve të materialeve. Sipas tij, nga fillimi i këtij viti është shënuar 60% rritje e çmimit të hekurit. Dhe, ai parashikon se shumë shpejt rritja e hekurit do të arrijë në 84 për qind.
“Rritja e materialeve të plastikës, të nevojshme për ndërtimin e banesave ka shkuar në 80 për qind, ndërsa e produkteve nga druri (dërrasave dhe trerëve) 63% Rritja e çmimit të stiroporit ka arritur në 62%, ndërsa e çmimit të bllokave në 30 për qind”, shtoi ai.
Ai nuk lë pa përmendur edhe katër-pesëfishimin e çmimit të transportit nga Kina që sipas tij, ka arritur në 400 për qind. Këto janë shkaqet kryesore, sipas ndërtimtarëve të vendit për rritjen e çmimit të banesave në Kosovë. Por, ata, megjithë këto çmime, janë optimistë për tregun e banesave dhe shitblerjen e tyre, dhe heshtazi shpërfaqin kënaqësinë për rrjedhën e tregtimit të banesave në vend, përkundër varfërisë së kosovarëve dhe mungesës së parave te kosovarët rezidentë. Shpresojnë, pra, te mërgata jonë, prirja e tyre që të investojnë lehtësisht në paluajtshmëri, e sidomos në blerjen e banesave dhe në ndërlidhjen tradicionale që po vazhdon mërgatë-vendlindje. /Buletini Ekonomik/