Harxhimet inovative

Përpos pagës, edhe 2.723.95 euro të buxhetit të shtetit i kishte shpenzuar Besim Beqaj në muajin qershor, kur pati dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pas përballjes me një aktakuzë. Shumën e kishte harxhuar nga kreditkartela që përmban fonde publike, e me të cilat pajisen edhe ministrat.

Por, nuk është kjo e vetmja shumë. Gjatë gjysmëmandatit, nga kreditkartela Beqaj ka shpenzuar saktësisht 9.760.85 euro. Rekordin e ka shënuar në qershor, pasuar me marsin e 2018-s kur brenda një muaji ka shpenzuar 1.966.40 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Më 20 qershor, Beqaj ka dalë në një konferencë shtypi për ta kumtuar informatën se te kryeministri Ramush Haradinaj e kishte dorëzuar dorëheqjen e tij nga posti i ministrit. Të njëjtën ditë Haradinaj e kishte liruar nga detyra.

E, Ministria kishte vazhduar t’ia mbulonte shpenzimet, edhe pas datës kur as zyrtarisht më nuk ishte ministër.

E dhëna evidentohet në pasqyrën e shpenzimeve të të gjithë anëtarëve që kanë përbërë stafin politik të Ministrisë së Inovacionit, që ky institucion ia ka siguruar “Kohës Ditore”, pas një kërkese për qasje në dokumente publike.