Kryetari i Mitrovicës dhe ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se rritja prej 20% e pagave dhe pensioneve, nuk është rritje por barazim me inflacionin.
Ai ka bërë thirrje që të rriten pagat në sektorin publik dhe me shpejtësi të aprovohet dhe nis zbatimi i Ligjit për Paga.
Hamza ka vlerësuar që rritja e pagave nuk e dëmton buxhetin e shtetit në masë të lartë.
“Rritja e pagave në masë 20% nuk është rritje, rritja në masë 20% nuk është, por indeksim, barazim, në raport me rritjen e çmimeve. Çka të flasim për rritje mbi 20%, atëherë po flasim për rritje të pagave”, ka thënë Hamza në Pressing.
Hamza ka thënë se inflacioni i muajve të fundit ka varfëruar qytetarët.
Ai ka thënë se vetëm për shpenzime të rrugës e ushqim, një punëtori të sektori publik i shpenzohen 200 euro nga paga 400 euro.
“Duhet ta kuptojmë që gjendja sociale e njerëzve tanë nuk është e mirë. Një pagë mesatare prej 400 euro e një shërbyesi civil, 200 euro nuk ia mbulojnë nevojat e shpenzimeve të ushqimit dhe rrugës në punë”, ka thënë Hamza.