Kosova me vite të tëra pa finalizim të xeheve të plumbit dhe zinkut

Miniera e Hajvalisë- Foto: Buletini Ekonomik

Fitimet minimaliste nga minierat ekzistuese të plumbit dhe zinkut ende në prodhim, janë pasojë e mungesës së një shkritoreje aktive dhe elektrolizës së zinkut, por edhe flotacioneve të stërvjetëruara ekzistuese. Këto i ka pasur Trepça, por ka vite që janë jashtë funksionit. Ndërsa, Kishnica vazhdon ta ketë flotacionin e amortizuar skajshmërisht. Ndër autoritete as që bënë kush fjalë se Kosovës së pasur me plumb dhe zink, i duhet doemos një shkritore dhe një elektrolizë fare e re, si dhe një remont rrënjësor i flotacioneve ekzistuese, për të rimëkëmbur dhe ringjallur industrinë xehetare të Kosovës.

Mehmet GJATA

Në Kosovë, në vitet e pasluftës ka munguar totalisht përkujdesja ndaj sektorit të minierave. Buletini Ekonomik, tashmë, në disa tekste hulumtuese e analitike, ka trajtuar deri në detaje gjendjen e rëndë, të mjerueshme madje, dhe kaotike të katër minierave të Kompleksit të minierave në Kishnicë (Minierës së Artanës, Hajvalisë, Badovcit dhe asaj të Kishnicës), si pasojë e përmbytjeve nga uji dhe si rrjedhojë e lënies në harresë dhe pa përkujesje shtetërore në vitet e pasluftës.

Por, pos këtyre minerave që tashmë janë në gjendje të llahtarshme dhe jashtë funksionit, në gjendje të rëndë gjenden edhe flotacionet, si ai i Minierës së Stantërgut dhe i Kompleksit të Minierave të Kishnicës, për pasojë të lënies pasdore nga institucionet përgjegjëse, mosinvestimi në asnjë rast me dekada të tëra në ripërtëritjen teknike të tyre.

Reklama e sponzorizuar

Flotacioni që shtrihet fare pranë Minierës së Kishnicës, praktikisht ngjitas me të thuaja, sado që punon akoma disi dhe me kapacitete ndjeshëm të reduktuara, duket i stërvjetruar, i amortizuar pafundësisht, me pajisje dhe stabilimente të korezuara dhe me shumë stabilimente jashtë procesit të punës.

Bislim Fetahu, drejtori aktual të Kompleksit minerar në Artanë, Hajvali, Kishnicë, Badovc dhe i Flotacionit në Kishnicë, një gjeolog me përvojë dhe që ka punuar thuaja në të gjitha këto miniera, qoftë në vende udhëheqëse qoftë më pak udhëheqëse, kohë më parë i kishte thënë  Buletinit Ekonomik se Kishnica, e tëra praktikisht, u la nën mëshirën e kohës dhe kurrë ndër këto vite, askush nga përfaqësuesit institucional nuk e kokën kokën këtej.

“As që u kujtua kush ndonjëherë të përkujdeset, të bëjë një përpjekje më të voglën për ta shpëtuar Kishnicën”, deklaronte i pikëlluar skajshmërisht drejtori.

Nga kjo pakujdesi totale dhe papërgjegjësi e skajshme institucionale, Kishnica tashmë vazhdon të mbetet e përmbytur nga ujërat dhe të dëmtohet ndjeshëm nga dhëmbi i kohës, horizont për horizont, galeri për galeri nga uji. Ndërkaq, jo pak pajisje, që kanë ngelur nëpër horizonte të kësaj miniere, janë dëmtuar me gjasë edhe në përmasa të pamundësisë për t’i përdorur ato më tej, nga korezioni dhe pasojat e tjera që janë imponuar nga vërshimi shumëvjeçar i tyre.

Një problem tjetër që nga dita në ditë po bëhet serioz dhe shqetësues në Kishnicë është sterili, mbetjet nga Flotacioni, që përmbajnë edhe xehe goxha shumë, për shkak të vjetërsisë së Flotacionit të ndërtuar qysh në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, dhe në të cilin asnjëherë të vetme nuk është bërë asnjë investim për ripërtritje, ose rikonstruktim i ndonjë pajisjeje, stabilimenti apo makinerie. Pra, si shkak i stërvjetërsisë së Flotacionit, sterili, kështu si është, dhe me përbërje jo të paktë të xehes së plumbit, por edhe me materie potencialisht ndotëse të ambientit dhe të shëndetit të njeriut, deponohet (hudhet) në afërsi të drejtpërdrejtë me Flotacionin, në kodrën afër dhe bëhet barrë për procesin e punës në këtë kompleks minerar.

Më herët ka pasur oferta, që kanë ofruar kosto goxha të mirë dhe të leverdishme për shitjen e sterilit, por për shkaqe të panjohura ai nuk është shitur. Dhe tani, me kalimin e kohës, sipas drejtorit Bislim Fetahu, nga viti në vit po bëhet një tjetër barrë e rëndë për njësinë biznesore të Kishnicës, që është gjithnjë në kuadër të Trepçës.

Sipas Feratit, dikur janë ofruar disa miliona euro për sterilin, ndërsa tani do të nevojiten tre-katër fish më shumë miliona për ta larguar nga kompleksi i Flotacionit. Sterili ka probleme reale për t’u transportuar, pasi që me standarde të shteteve të BE-së, kështu si është, në asnjë shtet të Evropës nuk lejohet të kalojnë mjetet e transportit të ngarkuar me steril, për shkak të materieve ndotëse dhe helmuese që përmban ai.

Fitimet minimaliste nga minierat ekzistuese të plumbit dhe zinkut të Kosovës, ende në prodhim, janë pasojë e mungesës së një shkritoreje aktive dhe elektrolizës së zinkut, por edhe të flotacioneve të stërvjetëruara ekzistuese. Këto komplekse të rëndësishme dhe thuaja të domosdoshme industriale, i ka pasur Trepça, por ka vite që edhe këto janë jashtë funksionit.

Ndërsa, Kishnica vazhdon ta ketë flotacionin e amortizuar skajshmërisht. Dhe, ç’është më keq, ndër autoritete as që bënë kush fjalë se Kosovës së pasur me plumb dhe zink, i duhet doemos një shkritore dhe një elektrolizë fare e re, si dhe një remont rrënjësor i flotacioneve ekzistuese, për të rimëkëmbur dhe ringjallur industrinë xehetare të Kosovës. Ndryshe, xehet e tanishme do të vazhdojnë të eksportohen si lëndë e parë, e pafinalizuar.

Safet Gërxhaliu, ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njohës i mirë i zhvillimeve industruale të vendit, por edhe të sektorit minerar, në një intervistë për Buletinin Ekonomik, duke apostrofuar konkretisht 6 projektet zhvillimore, që sipas tij, do të garantonin zhvillimin ekonomik të Kosovës deri në vitin 2026, ka vlersësuar dhe ka kërkuar që, ndër këto 6 objektiva strategjike, të ndërtohet me urgjencë një shkritore në kuadër të kombinatit Trepça, në mënyrë që xehet e Kosovës të mos eksportohen si mbeturina, apo vetëm si lëndë e parë, por si produkte finale apo gjysmë finale me vlerë shumë të shtuar financiare. Prandaj, thotë Gërxhaliu, një shkritore i duhet domosdo Kosovës, në pikëpamjet e bëra publike për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas tij, shumë shtete afrikane të pasura me metale të çmuara janë ende të varfëra dhe këtë varfëri shkenca e njeh si “mallkim i hirtë”. Pikërisht për këtë “nuk dëshiroj që Kosova edhe përkundër pasurive nëntokësore nën ombrellën e emrit Trepça të jetë në këtë gjendje mjeruese”, thotë Gërxhaliu.

Ai vlerëson se është e pakuptueshme që këto xehe të Kosovës ende të eksportohen si koncentrat apo mbeturina metalike me një çmim turpërues, ndërsa nga e njëjta lëndë minerare vendet e zhvilluara si Zvicra, Gjermania, Britania e madhe dhe Kina, nxjerrin afër 31 metale të çmuara aq shumë të kërkuara në ‘nano teknologji’ dhe në prodhimet farmaceutike për sëmundje të rënda kancerogjene.

Safet Gërxhaliu në intervistën për Buletinin Ekonomik ka thënë se “sot në Trepçë mund të gjenden ¾ e metaleve që gjinden në Sistemin Periodik të Elementeve Kimike të Mendelijevit dhe besoj që një shkritore e këtyre xeheve, përkatësisht finalizimi dhe ndarja e metaleve nga nëntoka e jonë, do të ishte garanci që Trepça do të bëhej një shtyllë e zhvillimit të Kosovës dhe jo të mbetet barrë e shtetit, siç ndodhet tani, pasi për të mbijetuar duhet ndihma nga qeveria”.

“Është mëkati më i madh kur thuhet që brenda vitit kalendarik 2021, Trepça ka realizuar të hyra vetëm afro 21 milionë euro. Prandaj, është koha për veprim edhe pse jemi të vonuar, sepse Trepça mund të jetë brend i promovimit të Kosovës në tërë botën”, ka thënë Gërxhaliu.

Por, zëri dhe kërkesat e Gërxhaliut, sikur kanë mbetur të vetmuara dhe pa jehonën që do të duhej ta kishin. Edhe më tutje komuniteti i xehetarisë në Kosovë vazhdon të mbetet i heshtur dhe fare jo kërkues për nevojën imediate të Republikës sonë për të rimëkëmbur xehetarinë, resursin dikur shtyllë të zhvillimve ekonomike të Kosovës, por edhe më tutje sektor i favorshëm për zhvillimet ekonomike të ne.

Ndërkohë, zyrtarët dhe vendimmarrësit, në të gjitha vitet e pasluftës, praktikisht, nuk e kanë ndërmarrë asnjë vendim të vetëm për të rimëkëmbur minierat tona, për të remontuar flotacionet ekzistuese, e mos të flasim për ndonjë vizion, ide apo propozim nga ta për ndërtimin e një shkritoreje aq të nevojshme dhe përcaktuese të zhvillimeve në sektorin e xehetarisë së vendit.

Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të eksportojë vetëm xehe të papërpunuara me një çmim qesharak: një tonelatë të koncentratit të xehes së plumbit dhe zinkut Kosova e eksporton me çmimin prej 80 eurosh. Ndërkaq, aktualisht në tregjet botërore të plumbit dhe të zinkut, një tonelatë e këtyre xeheve kushton dhjetëra herë më shumë se kaq. Dihet dhe është evidente se përgjegjësinë për këtë moskujdesje të skajshme ndaj kësaj pasurie të vendit, e kanë qeveritë njëra pas tjetrës që nga paslufta. Por, në asnjë mënyrë, nuk mund të amnistohet as Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, që me një inferioriet goxha brengosës po injoron problemin e minierave dhe të domosdosë për të ndërmarrë ndonjë hap për t’i finalizuar xehet nga nëntoka jonë, ose së paku për të nisur punët për rinovimin e flotacioneve ekzistuese. Më nuk mjafton vetëm të fajësohen qeveritë e deritashme, vetëm të konstatohet gjendja e rëndë në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin industrial të vendit.

Qeveria aktuale, ministritë përgjegjëse për minierat duhet të nisin punët, madje pa humbur kohë, që të vendoset për fatin e minierave të Kompleksit të Kishnicësës, por edhe për rehabilitimin teknik të flotacioneve.

Ndërsa, zgjidhja nuk është edhe aq e komplikuar, sipas ekspertëve. Minierat duhet fillimisht të pastrohen nga ujërat dhe pastaj të sigurohen pajisjet e domosdoshme për eksploatimin e xehes së plumbit dhe zinkut në këto vendburime aq premtuese minerare dhe të fillojë puna. Ndërsa flotacionet, sado që tashmë janë ngritur shumë çmimet e renovimit teknik të tyre, ende ka mundësi reale për t’u ripërtëritur teknikisht. Në vitet e para të pasluftës, pati shumë oferta nga investues të ndryshëm seriozë nga bota, por ofertat e tyre nuk u morën shumë seriozisht. Tani, çmimet e pajisjeve të nevojshme për renovimin e flotacioneve janë ngritur ndjeshëm, por, sipas ekspertëve, edhe më tutje Kosova ka të gjitha parakushtet për të bërë renovimin e flotacioneve. Ndërsa, dihet, ndërtimi i një shkritoreje është punë më e kushtueshme dhe më komplekse. Por, Kosova, edhe me këtë nivel varfërie dhe mungese evidente të parave, po të ekzistonte vullneti i njëmendtë politik dhe vendosmëria e vendimmarrësve, do të kishte një shkritore, që vlerësohet aq e nevojshme për zhvillimin industrial të vendit. Me vendosmërinë për të pasur këtë kompleks industrial, do të gjendeshin edhe udhët për të siguruar mjetet e nevojshme financiare për të bërë këtë punë. Ndryshe, siç thonë inxhinierët “çka të pritet më shumë, problemi do bëhet më i madh”. /Buletini Ekonomik/