Kosova në gusht eksportoi mallra jashtë vendit në vlerë të vetëm 84 milionë eurove

Eksporti dhe importi
Foto ilustruese, eksport dhe import

Kosova gjatë muajit gusht të këtij viti, ka eksportuar jashtë vendit mallra në vlerë të vetëm 84.8 milionë eurove.

Në krahasim me importin e mallrave gjatë kësaj periudhe, vlera e eksportit ishte shumë më e ulët.

Në bazë të të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar i Kosovës mes importit dhe eksportit gjatë këtij muaji ka qenë 441.9 milionë euro, ku eksporti i mallrave në muajin gusht 2022, siç e cekë më lartë, kishte vlerën e vetëm 84.8 milionë eurove, ndërsa importi shënoi një vlerë rekorde prej 526.8 milionë eurove.

Reklama e sponzorizuar

Por, çka eksportoi më së shumti Kosova gjatë muajit gusht të këtij viti?

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.2% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale, 18.0% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 16.2% artikuj të ndryshëm të prodhuar, 11.1% plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, 7.8% ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 4.9% produkte bimore, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, gjkatë këtij muaji arritën në 31,0 milion euro, ose rreth 36.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 51.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Partnerët kryesor për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8.4%), Danimarka (6.2%), Sllovenia (5.9), Holanda (3.3%), etj.

Ndërkohë, sa i përket vendeve të CEFTA-s, në muajin gusht 2022, eksportet e Kosovës arritën në 32,2 milion euro, ose 38.0% të eksporteve  të përgjithshme, me një rritje prej 27.2%. Partnerë kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (14.8%), Serbia (9.2), Maqedonia (8.4%), Mali i zi (4.4%).

Kurse, eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 21,6 milion euro, ose 25.5% e eksporteve të përgjithshme. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende, për eksport vlen të përmenden: SHBA-të me 11.7%, dhe Zvicra me 6.5%. /Buletini Ekonomik/