Parashikimet për ditë të ngrysura elektroenergjetike në dimër për kosovarët, janë goxha reale dhe mbështeten në shifrat prodhim-konsum të rrymës. Kosova pati edhe vjet në muajt e dimrit krizë të theksueshme elektroenergjetike, në mungesë të ndjeshme të rrymës. Prandaj, s’ka si të mos të ripërjetojë edhe në dimrin e sivjetshëm krizën e territ, aq më parë kur dihet që kapacitetet aktuale prodhuese nuk i përmbushin nevojat e konsumit të vendit në rritje gjatë stinës së dimrit.
Mehmet GJATA
Dimër i vështirë elektroenergjetik e pret Kosovën. Këtë parashikim e shprehin të gjithë, edhe zyrtarët e KEK-ut, edhe ata të KESCO-s dhe të KEDS-it, edhe në KOSTT. Dhe këto parashikime, janë të mbështetura në proporcionet e prodhimit, mundësisë reale që ofrojnë termocentralet e stërvjetruara kosovare edhe në rrethanat e prodhimit të tyre pa ndërprerje të paplanifikuar dhe të konsumit kosovar, që në muajt e ftohtë të dimrit di të shkojë deri në 1. 250 – 1. 300 megavatë-orë.
Thënë më thjeshtë, raporti prodhim-konsum i energjisë elektrike do të ndodhë, prandaj edhe parashikimet për ditë të ngrysura elektroenergjetike në dimër për kosovarët janë goxha reale dhe mbështeten në shifrat prodhim-konsum të rrymës.
Kosova pati edhe vjet në muajt e dimrit krizë të theksueshme elektroenergjetike, në mungesë të ndjeshme të rrymës. Prandaj, s’ka si të mos të ripërjetojë edhe në dimrin e sivjetshëm krizën e territ, aq më parë kur dihet që kapacitetet ekzistuese (dy blloqe të Kosovës B me gjithsej prodhim në rrjet diku rreth 520 megavatë-orë dhe dy blloqe të Kosovës A – A3 dhe A4, me gjithsej diku rreth 260 megavatë-orë, plus diku rreth 150-200 megavatë-orë nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme si hidrocentralet ekzistuese, parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me 105 megavatë-orë dhe ai i Kitkës në Anamoravë me 36 megavatë), nuk përmbushin nevojat e konsumit në rritje të vendit.
Përafërsisht, llogaritet se në muajt e ftohtë Kosovës do t’i mungojnë diku rreth 250-300 megavatë-orë, nëse deri në dhjetor nuk aktivizohet blloku A5, i cili do të prodhonte afërsisht 150 megavatë-orë rrymë, dhe i cili ndodhet në procedurë të remontit kapital. Mirëpo, remonti më i detajizuar, ai kapital, pra, siç e emërtojnë në mjediset prodhuese të rrymës, për shkak të kompleksitetit të punëve rehabilituese të stabilimenteve (remontit të kaldajës, turbinës dhe të gjeneratorit), zgjat nga 3 e më shumë muaj.
Dhe, meqenëse ky remont i parashikuar nuk ka filluar ende (për shkaqet pse janë zvarritur punët rreth rifillimit të këtij remonti, Buletini Ekonomik tashmë disa herë ka raportuar), ka fare pak gjasë që A5-shi të rikthehet në prodhim gjatë këtij viti. Prandaj, prodhimi aktual që arrin gjithsej diku te afërsisht një mijë megavatëshi, është për 250-300 megavatë-orë minus nevojave të konsumit të rritur të Kosovës në orët e pikut të ditëve dimërore. Dhe këto kalkulime dhe llogari bëhen duke pasur parasysh kushtet ideale të punës së këtyre termocentraleve të stërvjetruara.
Ç’është e vërteta, në të gjirtha blloqet aktuale të termocentraleve të Kosovës, pos në A5-sh, që siç u tha më lartë, parashikohet të bëhet remonti kapital në muajt në vazhdim, (edhe në B1 dhe B2 si dhe në A3 dhe A4, sivjet janë bërë remontetet e planifikuara), dhe zyrtarët e KEK-ut presin një punë stabile në këto stabilimente.
Por, megjithatë, për shkak të vjetërsisë së Kosovës A, sidomos të Kosovës B, që ka mbushur 40 e sa vjet punë, defektet e paparshikueshme teknike, janë gjithnjë të mundshme. Sidoqoftë, edhe po qe se nuk do të ndërprehet në asnjë çast prodhimi në këto stabilimente, në muajt e dimrit, siç u tha më lartë konsumit të vendit do t’i mungojnë 250-300 megavatë-orë energji elektrike, e cila nëse nuk importohet edhe me çmime të frikshme të paralajmëruara (janë paralajmëruar kaherë se në dimër ka mundësi reale që një megavat-orë të kushtojë në tregun e energjisë edhe në mbi 1.000 euro), përkthehet me terrin e pritshëm, për kaq sasi të rrymës sa do t’i mungojë vendit.
Gjithsesi, një fije shprese mbetet te kthimi i borxhit nga Shqipëria, gjatë muajve të dimrit, kur rëndom shtohen të reshurat dhe kur hidrokapacitetet e vllezërve tanë punojnë me ritëm të plotë dhe prodhojnë energji të bollshme edhe për të dedikuar një sasi për t’ia kthyer borxhin Kosovës.
Nagip Krasniqi, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, këto ditë ka bërë me dije për medien kosovare, se Kosova gjatë pranverës dhe verës së këtij viti ka depozituar rreth 130 mijë megavatë-orë energji elektrike në Shqipëri. Dhe, sipas tij, këtë energji elektrike Shqipëria pritet t’ia kthejë Kosovës suksesivisht gjatë dimrit, përkatësisht gjatë periudhës nga 1 nëntori 2022 deri më 31 mars 2023.
Në këtë kontekst, një fije shprese është edhe te parashikimi i meteorologëve, të cilët kanë paraparë që muajt në vijim do të karakterizohen me goxha të reshura shiu. Shirat e pritshme janë të mirëseardhura për mbushjen e liqeneve të Kaskadës së Drinit dhe krijimin e resurseve të ujit për prodhim më të madh të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Por, për shkak të gjendjes së pritshme të vështirësuar elektroenergjetike në muajt e dimrit, kosovarët kushtimisht duhet ta kursejnë shumë më shumë rrymën. Duhet, pra ta konsumojnë vetëm në raste kur e kanë të domosdoshme, sa më pak ta përdorin për ngrohje dhe duhet të jënë shumë të vëmendshëm, të jenë strikt pra, në përdorimin e pajisjeve që shpenzojnë më shumë energji, gjatë natës, kur rryma është me të lirë dhe kur konsumi bie goxha shumë.
Për këtë shkak, sivjet që në muajt e verës kanë nisur thirrjet e KEDS-it dhe të zyrtarëve të vendit, drejtuar konsumatorëve kosovarë për domosdonë e racionalizimit të kursimit të energjisë elektrike.
KESCO ka njoftuar që në muajin gusht se ka rifilluar thirrjet për kursim të energjisë elektrike për të gjitha kategoritë shpenzuese, duke filluar nga konsumatorët shtëpiakë, industritë, e deri te bizneset e hotelerisë. Kompania e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike nëpërmjet një komunikate, ka thënë se beson që përfshirja e institucioneve lokale, organizatave të ndryshme, ekspertëve të fushës dhe secilit konsumator veç e veç në fushatën për kursimin e rrymës, do të ketë ndikim pozitiv në sistemin elektro-energjetik.
Sipas analizave nga ekspertët e KEDS, për secilën kategori gjatë këtyre muajve janë paraparë kursime modeste, por nga të cilat kursime do të përfitojnë të gjithë. Me kursimin e të gjithëve nga pak, energjia në dispozicion do të shpërndahet në mënyrë të barabartë, thonë në KEDS.
Duke marrë parasysh sa janë rënduar sistemet elektroenergjetike në të gjithë botën, për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike, edhe shtete të tjera të fuqishme kanë filluar me masat për kursimin e energjisë elektrike.
Për shembull, Gjermania ka aprovuar një sërë masash për kursimin e energjisë elektrike, të cilat do ta limitojnë përdorimin e ndriçimit dhe ngrohjes në ndërtesa publike. KEDS në vazhdimësi është duke treguar udhëzime praktike se si mund të kursehet. Kjo praktikë, sipas kësaj kompanie, do të ketë përfitime të dyanshme, atë financiare, por edhe do të mundësoni që energjia që është në dispozicion të shpërndahet në mënyrë racionale te të gjithë.
“Do të vazhdojmë të bëjmë thirrje që të gjithë konsumatorët t’i bashkohen fushatës për kursim, sepse është e domosdoshme. Ne vazhdimisht do të jemi afër për t’iu dhënë këshilla dhe udhëzime se si ta bëjnë këtë gjë”, kanë thënë zyrtarë për media në KEDS.
Edhe ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve elektroenergjetike në vend vazhdojnë t’iu bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë vëmendjen dhe të kenë kujdes në konsum të energjisë, për shkak të krizës globale elektroenergjetike, çmimeve galopante të rrymës në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të mungesës së pritshme të rrymës në Kosovë në ditët dimërore, sidomos në orët e pikut dhe kur dominojnë temperaturat e acarta te ne.
Edhe vendimmarrësit në nivele të vendit, institucionet kompetente, dhe në rend të parë Qeveria, duhet të përgatitet gjithanshëm për të senzibilizuar çështjen e domosdosë së kursimit të rrymës te të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Duhet edhe masa shumë konkrete dhe stimuluese për të ngritur vetëdijun e njerzëve për ta kyrsyer rrymën në ditët e vështira. Këtë e bënë e gjithë bota, pse mos ta kursejmë edhe ne ku dhe kur të kemi mundësi ta bëjmë këtë.
Të gjitha kompanitë elektroenergjetike të vendeve fqinje kanë ndërmarrë tashmë masa konkrete, madje edhe aksione domethënëse, për ta kursyer energjinë elektrike në muajt vijues dhe sidomos në periudhën e dimrit, me qëllimin e vetëm që të kenë sa më pak kufizim të rrymës gjatë dimrit dhe ta evitojnë sa më shumë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Edhe kudo, gjetiu në botë, qoftë te vendet e varfëra, qoftë te ato potente ekonomikisht dhe financiarisht, barrën e çështjes së kursimit të domosdoshëm në intervale të caktuara kohore, e sidomos në periudhat kur ka sinjale për rritje të vrullshme të konsumit të rrymës, e bartin sistemet elektroenergjetike të akcilit vend, shteti dhe qytetarët.
Në Kosovë, siç dihet, deri tani këtë barrë e ka pasur më shumë sistemi elektroenergjetik. Tani është nevojë e domosdoshme që me kursimin e rrymës të preokupohen shumë më seriozisht edhe shteti edhe qytetarët. Dhe, ky rikthim i vëmendjes së kursimit të rrymës te shteti dhe te qytetarët, është në të mirën e përgjithshme. Prandaj, ta provojmë njëmend njëherë se çdo të thotë ta kursesh realisht energjinë elektrike edhe në Kosovë. /Buletini Ekonomik/