Bankat në Kosovë vazhdojnë t’i shtojnë fitimet e tyre milionëshe me tarifat e larta për transfere ndërkombëtare. Tarifa më e ulët në bankat komerciale në Kosovë për një transfer të vetëm ndërkombëtar mbi shumat prej 100 eurove, kap shifrën minimale prej 15 -20 eurove.
Transferet ndërkombëtare hyrëse dhe dalëse nëpër bankat e Kosovës, vazhdojnë të kenë çmime marramendëse, edhe për shumat më të ulëta për transaksione, siç janë shumat 100 dhe 200 euro.
Ato për një transfer të vetëm bankar ndërkombëtar, aplikojnë një tarifë minimale prej 15 deri 20 euro për shumat mbi 100 euro. Ndërkohë, për shumat nën 100 euro, ato ua ndalin qytetarëve deri në 5 euro.
Nëpër çmimoret e bankave kryesore që operojnë në Kosovë, shifrat minimale për këto lloj transferesh ndërkombëtare (hyrëse dhe dalëse) është 15 deri në 20 euro, kurse maksimalja shkon deri në 1 mijë euro për shumat e larta të transaksionit.
Buletini Ekonomik pati hulumtuar edhe më herët çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha në vend, tek tarifat që ato përdorin për tërheqjen apo dërgimin e parave gjatë transfereve ndërkombëtare.
Kështu, në përditësimin e çmimores që ka bërë banka Raiffeisen, shihet se kjo bankë ka shtrenjtuar së fundmi tarifën për Transferet hyrëse ndërkombëtare nga 6 euro sa kishte qenë vitin e kaluar minimumi i pagesës për këtë shërbim, në gjithsej 15 euro. Theksojmë këtu se kjo bankë këtë vit ka shtrenjtuar edhe tarifën për tërheqje në bankomate në 50 centë.
Ndërkohë, për Transferet dalëse ndërkombëtare në degë, e njëjta bankë aplikon tarifë duke filluar prej 20 eurove minimumi dhe maksimumi prej 500 euro, duke marrë 0.30% të shumës, kurse për Transferet dalëse ndërkombëtare në e-banking, llogaritë 0.15% të shumës me një tarifë minimale prej 10 eurove dhe maksimalen prej 500 eurove.
Edhe tek banka tjetër që operon në Kosovë NLB, transferet ndërkombëtare kanë çmime si të përafërta. Kështu për Transferet dalëse, ata llogarisin 0.20% të shumës me një tarifë prej minimum 15 eurove (e njëjta në kundër vlerë) dhe një tarifë maksimale prej 1.000 eurove (e njëjta në kundër vlerë), kurse Transferet dalëse me e-banking për 0.15% të shumës që marrin, minimumi është 15 euro dhe maksimumi është po ashtu 1.000 euro.
Transferet dalëse me opcionin OUR në këtë bankë variojnë kështu: për shumat deri në 5,000 euro tarifa është Plus 5€, që i bie mbi 5 euro, prej 5,000 deri në 12,500 euro ka një tarifë mbi 8 euro, prej 12,501 euro deri në 25,000 euro- tarifa është mbi 12 euro, prej shumës 25,001 deri në 50,000 euro- tarifa është mbi 20 euro, dhe për shumat mbi 50 mijë euro ka një tarifë prej mbi 50 euro.
Ndërkaq, për transferet me opsionet BEN dhe SHARE, kjo bankë aplikon këto tarifa: për shumat deri në 200 euro tarifa është 5 euro, për shumat prej 201 eurove deri 10,000 euro- 10 euro, kurse për shumat mbi 10,000 euro kalkulohet 0.1% e shumës dhe maksimumi për tërheqje është 1,000 euro.
Banka tjetër, ProCredit, për këto shërbime si duket është “më e lira” në vend. Ajo për Transferet hyrëse ndërkombëtare për shumat nën 50 euro ka një tarifë prej vetëm 1 euro, për shumat prej 50 euro deri në 300 euro tarifa është 8 euro, kurse për shumat mbi 300 euro ajo kalkulon me përqindje shumën ku për 0.25% të shumës, minimumin e tarifës e ka 15 euro dhe shumën maksimale 750 euro.
Për Transfertat dalëse ndërkombëtare brenda kësaj banke përmes e-banking dhe në degë, zbatohet tarifa prej 15 eurove apo 25 USD-ve (dollar amerikan), ndërsa për transfertat dalëse ProPay me e-banking tarifa është 2.50 EUR/USD, kurse në degë 0.15%-shi i shumës, ka një minimum të tarifës prej 15 EUR/USD.
Për reklamacionin apo modifikimin e transfertave dalëse ndërkombëtare që janë më të reja se 1 muaj tarifa është 10 euro + shpenzimet e palëve të treta, kurse për ato që janë më të vjetra se 1 muaj është 30 euro+ shpenzimet e palëve të treta. E reklamacioni apo kthimi i transfertave dalëse ndërkombëtare në bankën ProCredit, aplikohet një tarifë prej 20.00 EUR/USD në këtë bankë.
Edhe në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) për Transfertat ndërkombëtare hyrëse kalkulohet 0.15% të shumës, ku minimumi i tarifës është 15 euro dhe maksimumi 600 euro. Vetëm Transfertat hyrëse nga BKT Shqipëria janë falas sipas çmimores së kësaj banke, kurse e njëjta, vetëm se dalëse nga Kosova për në Shqipëri në po të njëjtën bankë atje, pra BKT, është 5 deri në 15 euro.
Kurse transferet ndërkombëtare dalëse (standard/prioritar) në degë të BKT-së, kalkulohen me 0.20%-0.30% të shumës, dhe tarifat janë minimumi 15 euro dhe maksimumi 600 deri 800 euro, kurse për ato ndërkombëtare dalëse (standard/prioritar) përmes e-Banking, kalkulohet vetëm 0.20% të shumës, ku minimumi i tarifës është 15 euro dhe maksimumi 600 euro.
Tutje, Banka Ekonomike e Kosovës ka një tarifë prej 5 euro për Transferet ndërkombëtare hyrëse për shumat deri në 100 euro, për ato mbi 100 euro llogarit 0.20% të shumës, me ç’rast minimumi nga 8 euro sa kishte qenë më 2021, tani në përditësimin më të fundit të çmimores së saj, është bërë 15 euro, kurse maksimumi i tarifës shkon deri në 500 euro varësisht prej shumës së dërguar. Ndërsa, për pagat dhe pensionet ndërkombëtare hyrëse në këtë bankë llogaritet 0.10%-shi i shumës dhe minimumi i tarifës është 5 euro kurse maksimumi shkon deri në 500 euro.
Për Tranferet dalëse ndërkombëtare brenda kësaj banke deri në shumën e 6 mijë eurove, tarifa është 0.15% të shumës apo minimumi 15 euro dhe maksimumi 500 euro, për transferet prej 6,001 deri në 10,000 euro merret 0.25% e shumës- min 15 euro dhe maksimumi 500 euro, për shumat prej 10 mijë deri në 20,000 euro merret 0.20% i shumës apo minimalja 15 euro dhe maksimalja 500 euro, dhe për shumat mbi 20.000 euro merret 0.15% i shumës -min 15 euro dhe max 500 euro.
Reklamimet e iniciuara nga klientët për kthim apo modifikim të mjeteve në këtë bankë, kushtojnë 10 euro si për ato hyrëse si për ato dalëse.
Banka e fundit është TEB banka në Kosovë, e cila për Transferet ndërkombëtare dalëse në valutën euro merr 0.15% të shumës për transaksion, ku minimumi është 15 euro gati njëlloj sikur në bankat e tjera paraprake, kurse maksimumi në këtë bankë shkon deri në 1 mijë euro.
Kjo bankë për Transferet ndërkombëtare dalëse në valutat e tjera si USD, CHF, dhe GBP merr 0.30% të shumës, që maksimumi i tarifës po ashtu shkon te secila deri në 1 mijë euro.
TEB-i edhe për të gjitha transferet ndërkombëtare hyrëse në Kosovë, merr prej secilës valutë 0.30% e shumës së dërguar, ku minimumi është njësoj si për ato dalëse, duke filluar prej 15 eurove deri në maksimum që shkon deri në 1 mijë euro.
Kujtojmë se profiti neto i bankave komerciale në Kosovë, vetëm deri në muajin prill, ka shkuar në 44.6 milionë. Kurse gjatë vitit 2021, të njëjtat kanë fituar gjithsej 117.5 milionë euro, fitime këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit në kredi dhe tarifat të larta për shërbime dhe transaksione. /Buletini Ekonomik/