Pos mungesës evidente të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, që në këtë krizë globale dhe me çmime në stratosferë të rrymës në tregjet e energjisë elektrike kudo në botë, Kosova ka edhe mangësi të tjera që ndikojnë jo pak në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Kosova pra, ka krejtësisht tjetër strukturë të prodhimit të energjisë elektrike nga shumica e shteteve të Evropës. Saktësisht, 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike në vend, burim ka thëngjillin.
Buletini Ekonomik
Kosova ka vite që përballet me probleme elektroenergjetike. Në radhë të parë ka mungesë të energjisë elektrike edhe në sezonin e dimrit, dhe ç’është më keq, edhe verës, si pasojë e mungesës së prodhimit vendor dhe vjetërsisë evidente të termocentraleve Kosova A dhe B. Siç dihet, Kosova A tani mbush 60 vjet, qëkur është funksionalizuar njësia e parë e këtij termocentrali (më saktësisht blloku A1 ka nisur prodhimin në vitin 1962), ndërsa Kosova B është e vjetër tashmë mbi 40 e sa vite. Kosova B ka nisur prodhimin më 1979.
Në Kosovën A që nga paslufta operojnë vetëm tre blloqe, përkatësisht A3, A4 dhe A5, ndërsa A1-shi dhe A2-shi, janë jashtë funksionit që nga kjo kohë. Kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), siç thonë inxhinierët e KEK-ut, janë diku mbi 1, 000 megavat/orë (saktësisht 1070 megavat/orë). Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.
Në anën tjetër, Kosova A, siç u tha, që nga paslufta ka operuar me tri blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A1-shit është 200 megavat/orë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavatë, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji. Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve i blloqeve të Kosovës A është: A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat/orë, ndërsa në rrjet 110. Ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavat/orë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralin Kosova A, tashmë i stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- e vjetëruar bukur shumë.
Ndërsa, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë te 750 megavatëshi, ndërsa gjatë pikut dhe në raste gjatë sezonit të dimrit, konsumi shkon edhe në 1250 megavat/orë, madje edhe përtej kësaj sasie. Shihet, pra që Kosova gjatë ditëve dimërore dhe në raste të pikut, ka goxha mungesë të energjisë elektrike, të cilën duhet importuar domosdo për t’i plotësuar nevojat kosovare me rrymë.
Aktualisht, pra këtyre ditëve, në prodhim gjenden vetëm dy blloqet e Kosovës B, pasi që blloqet e Kosovës A, që të tre, janë në remont. Remonti në A3, ka filluar të shtunën që shkoi (më 17 shtator) dhe siç theksojnë zyrtarët e KEK-ut, do të zgjasë 4-5 ditë. Në njësinë A4 remonti i planifikuar ka nisur në fillim të shtatorit dhe do të zgjasë gjithsej 25 ditë. Ndërsa te A5-shi gjendja është më komplekse. Ky bllok që nga mesi i korrikut, praktikisht është jashtë funksionit, për shkak të planifikimit që të bëhet remonti kapital në të. Por, punët rreth këtij remonti po zvarriten, pasi që ende nuk është bërë përzgjedhja e punëkryesit të remontit në kallda dhe të punëve remontuese në turbinë. Në KEK, mendojnë se pasi të fillojnë këto punë, remonti do të zgjatë diku së paku 3 muaj, që do të thotë se është pikëpyetje e madhe nëse A5, prodhimi i të cilit është kaq i nevojshëm në ditët e ftohta dimërore, të rifillojë prodhimin para vitit 2023.
Duhet thënë se pos mungesës evidente të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, në këtë krizë globale dhe me çmime në stratosferë të rrymës në tregjet e energjisë elektrike kudo në botë, Kosova ka edhe mangësi të tjera që ndikojnë jo pak në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Kosova pra, ka krejtësisht tjetër strukturë të prodhimit të energjisë elektrike nga shumica e shteteve të Evropës. Saktësisht, 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike që prodhohet nga kapacitetet tona burim ka thëngjillin, që Kosova e varfër e ka me bollëk, dhuratë, pra, në sasi kolosale e natyrës.
Në këtë mënyrë, në mungesë të kapaciteteve të tjera të energjisë së rinovueshme, e sidomos të një hidrocentrali me fuqi të mesme, termocentralet tona kushtimisht duhet të punojnë ditën dhe natën. Por, e keqja e këtij ritmi, është se natën, nuk ka shumë alternativa për ta plasuar diku energjinë elektrike tepricë, për ta eksportuar, apo edhe këmbyer me ndonjë shtet tjetër. Kosova ka vetëm Shqipërinë, me të cilën këmben goxha shumë energji elektrike. Shqipërisë i huazohet, sidomos në muajt e verës edhe natën, kur konsumi bie ndjeshëm, për ta kërkuar pastaj në muajt e dimrit borxhin, nëse Shqipëria ka akumulimet e hidrocentraleve të mbushura me ujë.
Një hendikep tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, pos prodhimit të rrymës nga qymyri, që ka kohë që shikohet me sy kritik nga perëndimorët, për çka janë krijuar kritere e standarde ‘të nduarnduershme’ dhe të ashpra për ta parandaluar këtë prodhim, paraqet edhe mungesa e fleksibilitetit të prodhimit, përkatësisht ngurtësia e tejskajshme e prodhimit të bazuar thuaja vetëm në qymyr. Por, për sitemin tonë energjetik, një minus jo të vogël e paraqet edhe variaconi-lëvizshmëria e theksuar e konsumit verë-dimër. Për shkak të mungesës së potencialit industrial, pra fabrikave që do të shpenzonin konstant rrymën si dimrit si verës për shkak të ritmit të punës së tyre përditë e në çdo stinë, te ne dominojnë konsumatorët e grupit të amvisërisë, të cilat konsumojnë shumë energji dimrit (në mungesë të alternativave për ngrohje) dhe gjatë ditës, ndërsa natën dhe gjatë verës theksueshëm më pak. Kjo shpërputhje e konsumit e bënë sistemin elektroenergjetik të paqëndrueshëm dhe e vë në vështirësi serioze në shumë raste KOSTT-in.
Në anën tjetër, kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme në Kosovë janë akoma simbolike, thuaja të papërfillshme edhe me finalizimin e Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, që tashmë ka nisur punën si dhe me 9 turbinat me erë në Kitkë të Kamenicës, të cilat ka dy vjet që gjenden në prodhim.
Edhe hidrokapacitetet elektroenergjetike aktive që ka Kosova janë fare të vogla për ta pasur ndonjë ndihmë serioze dhe të efektshme për stabilitetin e sistemit tonë elektroenergjetik. Sipas të dhënave kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme të Kosovës (hidrocentralet dhe prodhimi nga era), janë gjithsej diku rreth 170-200 megavatë-orë, që për shkak të mungesës së ujërave dhe të erës, ky kapacitet vështirë se arrihet gjithnjë. Pra, tani për tani, nuk mund të llogaritet shumë në to për ndonjë ndihmesë më serioze për stabilizimin e furnizimit të konsumit kosovar në kohët kur energjia është më e kërkuar, ta zëmë në kohë piku, ose edhe të ndonjë mungese të paparashikueshme.
Për shkak të këtyre rrethanave, sistemi elektroenergjetik i Kosovës vazhdon të mbetet i brishtë dhe goxha i pasigurtë për të garantuar furnizim stabil, dhe në të gjitha stinët të konsumit të Kosovës me energji elektrike. /Buletini Ekonomik/