Masa e Qeverisë së Kosovës, për subvencionim prej 50%, të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë, po konsiderohet jo efektive nga njohësit e çështjeve ekonomike.
Rreth 150 milionë euro u ndanë me tre shtator të këtij viti nga Qeveria e Kosovës në kuadër të asaj që u quajt Pakoja për Përballje me Inflacion.
Kjo pako, me anë të së cilës, qeveria synon ta luftojë inflacionin, përmban tetë pika, disa nga to janë: 100 euro mbështetje për pensionistë, 100 euro për studentë, 100 euro mbështetje për punëtorë të ndërmarrjeve publike, 50 euro shtesë për punëtorë të sektorit publik nga muaji shtator dhe subvencionim prej 50%, të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat, për tre muajt e parë.
E ky dallim në mes të punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat, po konsiderohet diskriminues për këta të fundit.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se masa e qeverisë për punëtorët e sektorit privat i lë ata nën mëshirën e bizneseve. Sipas tij, në momentin që kjo mbetet nën vullnetin e kompanive ajo masë do të dështojë.
“Po na vendosin në një terren që të kërkojmë lëmosh, por jam i bindur se edhe nëse kërkojmë lëmosh pronarët e kompanive nuk do ta bëjnë”, ka deklaruar Azemi.
Azemi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të hiqet “kushtëzimi” për rritje të pagës nga kompanitë private, pasi sipas tij, pronarët e kompanive nuk duhet të jenë garantues për pagesën e punëtorëve, për shkak se kjo do të dështojë.
“Por, fakti që duan të kushtëzojnë, nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo e paqëllimshme, dhe nëse mbetet ky kushtëzim kështu, kjo duhet të ndryshohet pasi pronarët nuk mund, dhe nuk duhet të jenë si lloj garantuesi për pagesën e punëtorëve”, ka thënë Azemi.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, po ashtu, ka kërkuar që punëtorëve të këtij sektori t’u ndahen nga 50 euro, ashtu sikurse punëtorëve të sektorit publik.
Tutje, ai ka thënë se nëse nuk tërhiqet vendimi që të japin mjete edhe për kompanitë private ashtu sikurse e parasheh masa e pakos për luftimin e inflacionit, atëherë kjo masë për sektorin privat, sipas tij, nuk do të ekzistojë.
Edhe ekonomisti, Mustafë Kadriaj, e ka konsideruar qasje diskriminuese atë të Qeverisë së Kosovës ndaj punëtorëve të sektorit privat. Sipas tij, me masën e fundit të qeverisë, punëtorët e këtij sektori varen nga disponimi dhe gatishmëria e bizneseve për t’ua rritur apo jo pagat.
“Për dallim nga sektori publik, në sektorin privat në vazhdimësi edhe në kohën e pandemisë edhe tani po privohen punëtorët e sektorit privat. Kjo po varet nga disponimi dhe gatishmëria e bizneseve. Sepse nëse bizneset nuk kanë mundësi financiare që t’i përgjigjen kësaj kërkese, atëherë kjo mbetet vetëm një dëshirë dhe jo diçka e realizueshme”, ka deklaruar Kadriaj për Portalin Dukagjini.
Kadriaj është shprehur se që nga paslufta, punëtorët e sektorit privat lihen anash nga të gjitha qeveritë. Sipas tij, nuk ka kohë më të mirë se kjo e krizës ekonomike, për ta ndihmuar këtë sektor në mënyrë që edhe ata ta kalojnë më lehtë këtë periudhë të vështirë.
Ai e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se është kundërthënëse që në njërën anë të thuhet se buxheti është në rritje dhe në anën tjetër të mos iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve kur ata kanë nevojë.
“Që nga paslufta, arka e shtetit është mbushur nga sektori privat, në këtë kohë krize nuk u tregua qeveria zemërgjerë me sektorin privat për bizneset dhe punëtorët, për fat jo të mirë e ka humbur edhe efektin e vet qeveria. Ishte dashur që qeveria në këtë kohë ta tregojnë krahun e fortë për sektorin privat. Në këtë kohë ka nevojë, e ka sjellë në pikëpyetje qeveria vetveten dhe arsyen e ekzistimit të saj”, ka thënë ai,
Pakon e fundit të Qeverisë së Kosovës, ekonomisti Safet Gërxhaliu e ka quajtur pako “Ad-Hoc”. Sipas tij, është pako me funksion afatshkurtër. Gërxhaliu ka thënë për Portalin Dukagjini se pakoja e prezantuar nga qeveria është për t’u përshëndetur, por sipas tij, ajo duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe jo selektive.
“Është një pako ad-hoc, e cila ka konotacion afatshkurtër, mirëpo Kosova meriton më tepër, në këtë drejtim duhet të përshëndetet, mirëpo duhet të ketë qasje gjithpërfshirëse dhe joselektive”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu, thekson se masa e qeverisë për subvencionimin prej 50% të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë, është i padrejtë dhe diskriminues.
Sipas tij, ky sektor po lihet nën mëshirën e pronarëve të kompanive.
“Kam dronë se është bërë një padrejtësi ndaj të papunëve, po ashtu po anashkalohet roli dhe kontributi i punëtorëve të sektorit privat. Lind pyetja se kush e furnizon buxhetin me të cilin funksionon shteti? Këtë e bën komuniteti i biznesit”, ka thënë ai.
“Në qoftë se pakoja për rimëkëmbje është selektive, inflacioni i godet të gjithë në mënyrë të barabartë. Shumë probleme më mirë është të evitohen. Duhet të ketë qasje më proaktive dhe konkrete dhe jo punëtorët e sektorit privat të lihen nën mëshirën e punëdhënësve”, ka vijuar Gërxhaliu.
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar që kushtëzimi i Qeverisë lidhur me pakon e inflacionit që ka të bëjë me stimulimin e punëtorëve të këtij sektori të hiqet ose të ndryshojë, ose sipas tyre, greva do të jetë e pashmangshme edhe nga ky sektor. Kërkesë tjetër e tyre është rritja e pagës minimale, më lart se 250 sa është vendosur nga Qeveria e Kosovës. /Dukagjini/