“Gjykatës së Tenderëve” po i ikin ekspertët, Hoti: Jeni duke i parë tash pasojat e Ligjit të Pagave

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere po shorten sot Raportin vjetor të punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023.

Gjatë raportimit të Bordit, u përmend edhe largimi i stafit, ku Kryesuesja e Bordit, Vjosa Gradinja, tha se vetëm sot kanë pranuar tri dorëheqje nga pozitat kyçe brenda OSHP’së, raporton Express.

“Sa i përket Administratës së OSHP’së, me lejoni t’ju njoftoj që Organi Shqyrtues i Prokurimit ka trashëguar një administratë jo të kompletuar, me vetëm 21 nëpunës nga 30 sa ishin të lejuar. Kurse aktualisht, ka vetëm 19 punëtorë staf administrativ. Aktualisht jemi në fazën e rekrutimit edhe për stafin tjetër dhe vetëm sot kemi pranuar tri dorëheqje nga pozitat kyçe brenda Organit Shqyrtues të Prokurimit. Unë po mendoj që po ndikon edhe puna shtesë që po ngarkohen punëtorët e OSHP’së, përveç detyrave që i kanë në kontratat e punës”, ka deklaruar Gradinja.

Reklama e sponzorizuar

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se kjo është pasojë e Ligjit për Paga, raporton Express.

“Besoj që për mendimin tim jeni duke i parë tash pasojat e Ligjit të Pagave, të prekjes së koeficientëve pa ndonjë analizë dhe t’i nuk pret që me pas jurist të mirë dhe aanalistë të mirë me 5.5 koeficientin. Nuk janë marrë me kohë parasysh specifikat e institucioneve”, tha Hoti.

Ai pastaj pyeti Bordin nëse arsyeja e largimit të ekspertëve është koeficienti, dhe kjo iu konfirmua nga Bordi.

“E vetmja arsye është niveli i ulët i pagave në OSHP, që s’kanë arrit me u trajtu. Ekspertët e OSHP’së s’janë trajtuar dhe kjo tash po ndikon. Ne kemi ekspertë me 10-15 vjet përvojë pune, tash duhet me marr ekspertë të rinj, me i trajnu 1 vit dhe a muj e gjen veten apo s’mundet. Pagat kanë ndejtë në nivel të njëjtë”, deklaruan nga Bordi.

Ata sqaruan se pikërisht kjo është edhe arsyeja e vonesave në shqyrtimin e lëndëve.

Gradinja, tha se gjatë vitit të kaluar, OSHP ka pranuar 1 mijë e 71 lëndë.

“Sa i përket vitit 2023 Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pranuar gjithsej 1 mijë e 71 lëndë. 282 lëndë janë vërtetuar vendimi i autoritetit kontraktues, 345 lëndë janë kthyer në rivlerësim me anë të vendimeve të bordit të OSHP’së, 85 lëndë janë anuluar dhe 30 urdhëra janë lëshuar nga ana e OSHP’së…”, deklaroi Gradinja.