Normat e interesit në SHBA arrijnë nivelin më të lartë të 14 viteve për shkak të betejës me inflacionin

Banka Qendrore e SHBA-së i ka rritur normat e interesit duke i çuar ato në nivelin më të lartë të pothuajse 15 viteve të fundit, teksa përpiqet të frenojë rritjen e çmimeve në ekonominë më të madhe në botë.

Rezerva Federale ka njoftuar se do të rrisë normën e saj bazë me 0.75 pikë përqindjeje, duke e bërë intervalin e synuar që të shkojë mes 3% dhe 3.25%.

Kostot e huamarrjes pritet të rriten më shumë dhe të mbeten në nivele të larta, deklaroi banka.

Reklama e sponzorizuar

Kjo lëvizje u ndërmor në mes të shqetësimeve se kostoja që vjen nga kontrolli i inflacionit, mund të jetë rënia e fortë ekonomike.

Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, tha se rritja e normës ishte e nevojshme për të reduktuar kërkesën, duke lehtësuar presionet që sjellin rritjen e çmimeve dhe duke shmangur dëmet afatgjata në ekonomi. Por ai pranoi se kjo do të sjellë pasoja serioze për ekonominë.

“Ne duhet që ta tejkalojmë këtë gjendje me inflacion të lartë,” tha ai. “Do të doja të kishte një mënyrë për ta bërë këtë pa shkaktuar shumë dhimbje. Por, një mënyrë e tillë nuk ekziston.”

Bankat në pothuajse çdo vend të botës, duke përjashtuar rastet e Japonisë dhe të Kinës, gjenden gjithashtu përballë vendimeve të tilla të vështira, pasi ato po rrisin normat e interesit për të trajtuar problemet e inflacionit.

Banka e Anglisë pritet që të njoftojë rritjen e shtatë radhazi të normës së interesit në mbledhjen e ditës së enjte, ndërsa Indonezia dhe Filipinet janë ndër vendet e tjera që po përgatiten për rritje të normave.

Analistët kanë filluar të shqetësohen se rritja globale e normave të interesit, të cilat përkthehen në  formën e kredive hipotekore më të shtrenjta për publikun, në rritje të normave të kredive dhe të borxhit të kartave të kreditit, mund të sjellin një ngadalësim më të madh ekonomik sesa presin politikëbërësit.

Edhe nëse shmangen dy tremujorë radhazi me rënie ekonomike, të cilat do përcaktonin zyrtarisht fillimin e një recesioni, ekonomia botërore gjatë vitit 2023 pritet të jetë në formën më të dobët të të gjithë dekadës së fundit, me përjashtim të vitit 2020, kur ekonomia u përball me pasojat direkte të pandemisë, tha Ben May, drejtor i kërkimeve makroekonomike globale në Oxford Economics.

“Ajo që është bërë e qartë është se, nëse vendosen përballë zgjedhjes mes lejimit të inflacionit të lartë për një periudhë të gjatë … dhe futjes së ekonomisë në një recesion, drejtuesit e bankave qendrore më mirë do t’i shtynin ekonomitë drejt një recesioni për ta kthyer inflacionin përsëri afër objektivit”, tha ai.

Sa do të rriten normat e interesit?

Në SHBA, Fed po i rrit normat e interesit me një nga ritmet më të shpejta në historinë e saj moderne, duke bërë kështu një ndryshim të madh në qasjen e saj, pas shumë vitesh me kosto të ulëta të huamarrjes. Ky ndryshim erdhi si përgjigje për inflacionin që po i afrohet nivelit më të lartë të 40 viteve.

Fed fillimisht shpresonte që problemet do të zbeheshin pasi të zgjidheshin problemet në zinxhirët e furnizimit, të cilat lidheshin me pandeminë e koronavirusit. Por, lufta në Ukrainë, e cila ndërpreu furnizimet me naftë dhe me ushqime, e përkeqësoi akoma më shumë problemin.

Megjithëse çmimet e naftës kanë rënë që nga fillimet e luftës në Ukrainë, presionet e inflacionit tani po ndikojnë të gjithë ekonominë, pasi të dhënat më të fundit tregojnë se inflacioni arriti 8.3% në gusht, me rritjet më të mëdha që u evidentuan në kostot e banesave, të kujdesit shëndetësor dhe të arsimit.

Pagat, megjithëse janë në rritje, nuk kanë mundur të ruajnë të njëjtin ritëm, duke dëmtuar kështu buxhetet e familjeve.

Rritja e normës ditën e mërkurë, e cila ishte e pesta në radhë, shton normën që Fed aplikon për huatë që marrin bankat, nga afër shifrës zero ku ndodhej në fillim të vitit, në 3%. Ky nivel arrihet për herë të parë që nga fillimi i vitit 2008.

Parashikimet e publikuara nga Fed të mërkurën tregojnë se politikëbërësit presin që norma do të arrijë shifrën 4.4% deri në fund të vitit dhe do të rritet akoma më tepër në vitin 2023. Këto parashikime janë dukshëm më të larta se parashikimet e mëparshme.

“Ajo që të habit më shumë, është shpejtësia,” tha Brian Coulton, kryeekonomist në Fitch Ratings. “Atyre do t’u duhet të lëvizin shumë shpejt … dhe kjo do të thotë se ka më shumë gjasa që këto ndryshime të vijnë në mënyrë të papritur për bizneset dhe familjet.”/BBC