Paralajmërohet recesion në vendet evropiane, shkaku i krizës energjetike

Si do të parandalohet që kriza energjetike e Europës të shndërrohet në një krizë ekonomike? Ndërhyrja në çmime, vlerësohet se nuk do të ndihmojë shumë.

Ndërsa ndërprerjet e gazit rus, të energjisë bërthamore franceze dhe problemet me hidrocentralin norvegjez, po shkaktojnë kërdi në tregjet e energjisë në Europë, çmimet po kapin majat. Çmimet standarde të gazit natyror u rritën me 30% javën e kaluar.

Kontratat franceze dhe gjermane për energjinë elektrike, verën e kaluar tregtoheshin me rreth 100 euro (118 dollarë) për megavat në orë. Kohët e fundit, ato u rritën në mbi 1000 euro. Që atëherë, çmimet kanë rënë, por gazi ende tregtohet me rreth 400 dollarë për një fuçi nafte. Shefi i Shell ka paralajmëruar se kriza do të zgjasë më shumë se një dimër, shkruan The Economist.

Reklama e sponzorizuar

Dhimbja do të jetë e egër dhe do të përhapet pasi kontratat ekzistuese të energjisë të familjeve dhe kompanive, do të skadojnë dhe do të lidhen të reja. Kjo do të rrisë shtrëngimin e ekonomisë, ndërkohë që Banka Qendrore Europiane rrit normat e interesit për të luftuar inflacionin.

Shumë ekonomistë parashikojnë recesion në muajt e ardhshëm dhe monedha e përbashkët po i afrohet nivelit më të ulët ndaj Dollarit, në dy dekada. Perspektiva e trazirave dhe mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare, duket më e mundshme.

Deri tani, përgjigjja e Komisionit Europian nuk ka qenë shumë mbresëlënëse. Ideja e tij më e fundit është një kufi mbi çmimin e gazit të përdorur për të prodhuar energji elektrike, i cili do të diskutohet në një samit të ministrave. Komisioni mund të kërkojë gjithashtu të rregullojë tregun e energjisë elektrike, në mënyrë që çmimet të mos përcaktohen më nga kostot e prodhuesit margjinal, i cili shpesh furnizohet me gaz.

Kufizimi i çmimeve tingëllon si një ide e mirë, por mund të jetë kundërproduktiv. Kjo për shkak se tavanet e çmimeve nuk do të frenojnë kërkesën për energji të pakët. Sipas një studimi, një kufi çmimi i vendosur në Spanjë, ka çuar në një rritje prej 42% të prodhimit me karburant që nga qershori.

Një politikë e tillë në mbarë BE-në, vetëm sa do të shtonte më tej kërkesën për gaz, duke rritur shanset e racionimit në dimër. Është e vërtetë se struktura aktuale lejon që disa firma të energjisë së rinovueshme, të cilat prodhojnë me kosto margjinale afër zeros, të mund të grumbullojnë fitime.

Nëse çmimet e gazit do të qëndronin të larta për vite të tëra, atëherë të ardhura të tilla mund të përshkruheshin si “qira të pajustifikuara”. Por i njëjti sinjal çmimi, siguron që termocentralet me gaz të gjenerojnë energji edhe kur era nuk fryn dhe kjo nxit më shumë investime në burimet e rinovueshme.

Në vend që të ndërhyjnë te çmimet, qeveritë duhet të përqendrohen në dy detyra më të mëdha. E para është të lejojnë mekanizmin e tregut që të frenojë kërkesën, duke mbështetur njerëzit më të cenuar.

Sigurisht, do të nevojiten ndihma të mëdha, por një ndihmë e shënjestruar mund të ulë faturën: sipas FMN-së, politikat që ofrojnë ulje dhe transferta parash për 40% më të varfrit, do të ishin më të lira se përzierja e politikave që bëhet sot, e cila përfshin kryesisht uljen e taksave për karburantin ose kufijtë e çmimeve me pakicë.

Prioriteti i dytë është rritja e ofertës, diçka që nuk mund të sigurohet vetëm nga Vladimir Putin. Mund të kultivohen burime të tjera të gazit natyror: kjo është arsyeja pse presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vizitoi kohët e fundit Algjerinë.

Brenda Europës, vendet mund të ndihmojnë në lehtësimin e pengesave, si ndërlidhjet e pamjaftueshme ndërkufitare të gazit. Sot investimet e pamjaftueshme dhe ndryshimet në standarde, pengojnë fluksin nga Spanja dhe Franca drejt Gjermanisë dhe Europës Lindore.

BE duhet të sigurojë që në rast racionimi, të ketë një marrëveshje në mbarë kontinentin se cilët përdorues duhet të kufizohen të parët: pa këtë masë, ka rrezik që vendet të grumbullojnë furnizime për vete.

E gjithë kjo do të kushtojë para. Deri tani, Greqia, Italia dhe Spanja, ndër anëtarët më me borxhe të Eurozonës, kanë shpenzuar 2-4% të PBB-së në fonde fiskale për të zbutur goditjen energjetike. Për fat të mirë, BE-ja ka mundësi për të ndihmuar.

Fondi i rimëkëmbjes nga pandemia, prej 807 miliardë eurosh, po jepet në formën e kredive dhe granteve. Megjithatë, deri tani, më pak se 15% e shumës është shpërndarë.

Pagesat për projektet e energjisë mund të përshpejtohen dhe komisioni mund të ofrojë kredi të lira për të ndihmuar me financimin e mbështetjes fiskale.

BE-ja u bashkua për t’u përballur me pasojat ekonomike të karantinave pas pandemisë. Mos kini dyshim se kriza e energjisë kërkon një përgjigje po aq të guximshme.