Programi i BERZH “Rinia në Biznes” një mundësi ideale për sipërmarrësit kosovarë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka lancuar programin e saj të ri për Ballkanin Perëndimor ‘Rinia në Biznes’ me një projekt në Kosovë, duke e bërë atë vendin e parë që përfiton nga kjo linjë kreditore e dedikuar për sipërmarrësit e rinj nën moshën 35 vjeç.

Kredia prej 4.5 milionë euro do t’i jepet Bankës për Biznes në Kosovë, e cila do t’u japë fonde kompanive lokale që janë në pronësi ose menaxhohen nga sipërmarrës të rinj dhe që me gjasë janë kompani të fazës së hershme ose mikro, si dhe biznese të gjeneratës së dytë.

Por kush do të përfitojë dhe cilat janë kriteret për tu bërë pjesë e këtij programi, Buletini Ekonomik ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me BERZH.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik: A mund të na tregoni më shumë rreth këtij programi në përgjithësi, qëllimeve të tij, grupeve të synuara dhe rezultateve që kërkoni?

BERZH: BERZH ka prezantuar tashmë programin “Youth in Business” (Rinia në biznes) në Marok dhe Egjipt dhe tani po e çon këtë produkt edhe në Ballkanin Perëndimor. Përfituesit e tij përfundimtarë janë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përgjegjësia e përgjithshme e menaxhimit operacional të të cilave ose pronësia e shumicës mbahet nga një person (ose persona) nën moshën 35 vjeç (“NVM-të e të rinjve”). Objektivi përfundimtar i programit është përmirësimi i përfshirjes financiare të sipërmarrësve dhe menaxherëve të rinj në Ballkanin Perëndimor dhe fuqizimi i sipërmarrjes se të rinjve. Përveç kësaj, programi synon të demonstrojë se NVM-të e të rinjve janë një partner i mundshëm i bankës kur shërbehen me produkte financiare dhe jofinanciare të përshtatura për nevojat e tyre. Një fokus i veçantë do të vendoset në ofrimin dixhital të shërbimeve këshillimore dhe prezantimin e zgjidhjeve dhe strategjive dixhitale, që të dyja synojnë maksimizimin e shtrirjes, nxitjen e transformimit dixhital dhe forcimin e avantazhit dhe shkathtësisë konkurruese të NVM-ve të të rinjve.

Programi i BERZH-it parashikon financimin deri në 100 milionë euro në Ballkanin Perëndimor që do të shpërndahet nëpërmjet disa Institucioneve Financiare Pjesëmarrëse në secilin vend të rajonit. Financimi shoqërohet me një garanci për të mbuluar një pjesë të humbjeve të institucionit financiar dhe për të zbutur rreziqet e perceptuara që lidhen me kreditimin për NVM-të e të rinjve, të rënduara edhe nga pandemia. Programi gjithashtu përfshin dy lloje të asistencës teknike. Në të paren do të përfitojnë institucionet financiare, duke i mbështetur ato për zbatimin e Programit dhe një sërë aktivitetesh ndërsektoriale përkatëse. Nga ssistenca e dytë teknike do të përfitojnë NVM-të e të rinjve dhe do të përfshijë aktivitete për të rritur njohuritë e sipërmarrësve të rinj, të tilla si trajnimi dhe mësimi elektronik që synon ndërtimin e aftësive moderne dhe të qëndrueshme sipërmarrëse dhe mentalitetit, mundësitë e mentorimit dixhital për të forcuar besimin e tyre. dhe shërbime këshilluese biznesi të përshtatura.

Buletini Ekonomik: Sipas programit, ndërmarrësve të rinj në Kosovë do t’u ofrohet mbështetje financiare, në formë kredie. Cilat kritere duhet të plotësojë një sipërmarrës për të pasur akses në këtë program?

BERZH: Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përgjegjësia e përgjithshme e menaxhimit operacional ose pronësia e shumicës së të cilave mbahet nga një person (ose persona) nën moshën 35 vjeç, kanë të drejtë për financim dhe asistencë teknike. Kriteret e huadhënies/nënshkrimit dhe vendimi për çdo kredi individuale do të jenë në domenin e çdo institucioni financiar pjesëmarrës që i bashkohet programit.

Buletini Ekonomik: Përveç kredisë, në njoftimin për shtyp thuhet se firmave do të ofrohen shërbime këshillimore. Çfarë synon kjo?

BERZH: Mbështetja për sipërmarrësit e rinj do të ofrohet përmes instrumenteve të ndryshme këshilluese, të ofruara në kuadër të programit kryesor të BERZH-it Këshilla për Bizneset e Vogla. Këto synojnë të ofrojnë zgjidhje të përshtatura për t’i pajisur ata me aftësi dhe ekspertizë përkatëse për të krijuar dhe drejtuar biznesin, për të përmirësuar performancën dhe konkurrencën e tyre të biznesit, si dhe për të rritur kapacitetet, në mënyrë që me kalimin e kohës të jenë në gjendje për të tërhequr financa dhe për të thithur investime.

Kompanitë e kualifikuara mund të përfitojnë nga konsulenca individuale, e ofruar ose nëpërmjet konsulentëve vendas ose, për NVM-të më të mëdha, një eksperti ndërkombëtar, të cilët zgjidhen bashkërisht nga kompania përfituese dhe BERZH. Pas përfundimit të shërbimit këshillimor, BERZH do të rimbursojë një pjesë të konsiderueshme të kostos së projektit. BERZH do të ofrojë gjithashtu trajnime, mundësi rrjetëzimi dhe seminare për të zhvilluar aftësitë sipërmarrëse dhe mentalitetin e sipërmarrësve të rinj, si në partneritet me institucionin financiar që marrin pjesë në Programin Rinia në Biznes si dhe nga shërbimet mbështetëse të biznesit. Këto trajnime do të mbulojnë aspektet kyçe të biznesit që lidhen me të rinjtë, me ambicien për t’u bërë liderë të biznesit të së nesërmes, duke u fokusuar në fusha të tilla si qëndrueshmëria sociale, ekonomike dhe mjedisore, dixhitalizimi dhe rritja e financimit.

Buletini Ekonomik: A do të ketë lehtësira për bizneset që do të jenë pjesë e programit? Nëse po, çfarë lloj lehtësirash?

BERZH: Nëpërmjet programit, BERZH kërkon të promovojë sipërmarrjen e të rinjve dhe aksesin në financa për NVM-të e të rinjve duke kontribuar në ndryshimet sistematike. Kjo do të arrihet, së pari, duke u demonstruar bankave se kreditimi për këtë segment është komercialisht i qëndrueshëm. Garancia do të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e rrezikut që institucionet financiare të japin hua për NVM-të e të rinjve dhe, për rrjedhojë, do t’i lejojë bankat të familjarizohen me një sektor që zakonisht konsiderohet më i rrezikshëm për shkak të mungesës së kolateralit. Nëpërmjet asistencës teknike, bankat do të përfitojnë nga ekspertiza dhe mbështetja për të kuptuar nevojat financiare të NVM-ve të të rinjve dhe për të zhvilluar produkte të reja për t’u shërbyer atyre.

Duke angazhuar institucionet financiare, programi do të ketë një efekt demonstrues në sektorin financiar, duke përfshirë bankat, institucionet mikrofinanciare jobankare dhe kompanitë e lizingut që kontribuojnë në zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm të kreditimit të synuara për bizneset e rinjve.

Së dyti, programi do të ndërtojë besimin e sipërmarrësve të rinj në aftësinë e tyre për të zhvilluar bizneset e tyre dhe aftësitë e tyre për ta bërë këtë, dhe do t’i inkurajojë ata të kenë akses në financa nëpërmjet kanaleve formale.

Së treti, programi do të kontribuojë në ndërtimin e një mjedisi favorizues për të rinjtë pjesëmarrës në ekonomi, duke punuar ngushtë me partnerët lokalë me mandat në promovimin e sipërmarrjes rinore. Duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me entitetet lokale përkatëse dhe politikëbërësit, BERZH do të angazhohet në zhvillimin e politikave që sigururojnë qëndrueshmëri afatgjatë për bizxneset. Nëpërmjet zbatimit të përbashkët të aktiviteteve të përzgjedhura, pritet që programi Rinia në Biznes të hedhë dritë mbi sfidat me të cilat përballen sipërmarrësit e rinj në aksesin në financa, të forcojë kapacitetet e sektorit financiar vendas dhe të shfaqë modele të liderëve të rinj në biznes, duke kontribuar kështu në mënyrë indirekte për të ndërtuar një mjedis të përshtatshëm për pjesëmarrjen e të rinjve në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.