Edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dëshmojnë për çmimet e larta të perimeve në tregjet tona dhe të cilat prijnë për nga lartësia në ngritjen e indeksit të çmimeve të produkteve të konsumit. Ngritja e çmimit të perimeve gjatë 2023-tës, sipas indeksit të çmimeve të konsumit të ASK-së, ishte 15,9 për qind, dhe kjo përqindje është në krye të listës së çmimeve të ngritura të produkteve të konsumit në vitin që shkoi.
Buletini Ekonomik
Me çmim enorm të lartë të perimeve, vazhdimisht (edhe jashtë sezonit, dhe në pikun e stinës së perimeve) gjatë tërë vitit 2023, janë përballur kosovarët. Ka pasur shumë ankesa nga të gjitha shtresat, edhe nga qytetarët e kamun, edhe nga të varfërit, që në Kosovë janë shumicë absolute dhe që disa lloje perimesh me vite i kanë pasur si ushqime të domosdoshme, sidomos në stinën kur në treg dalin edhe perimet vendore, edhe për shkakun e çmimit të pranueshëm të tyre.
Ndërsa, në kohët e fundit, veçmas gjatë tërë 2023-tës, u shpërfytyrua ky rregull, dhe ky ndryshim ndodhi për shkak të çmimit të lartë të të gjitha perimeve (edhe atyre të importuara edhe vendore) dhe pamundësisë për t’i patur kollaj në sofrat e tyre.
Thjesht, çmimet e perimeve vjet ishin të kripura, dhe në çmimin enorm prinin patatja, qepa, sallatat e gjelbra, trangujt, speci dhe ne veçanti domatja e vendit, e cila edhe në stinën e saj (gusht-shtator) diti të tregtohej edhe deri në 2 euro për një kilogram. Edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dëshmojnë për çmimet e larta të perimeve në tregjet tona dhe të cilat prijnë për nga lartësia në ngritjen e indeksit të çmimeve të produkteve të konsumit.
Sipas ASK-së, ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit është vërejtur te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (15,9%), pemët (11,4%), prodhimet ushqimore (11,3%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (11,2%), buka dhe drithërat (8,9%), qumështi, djathi dhe vezët (8,4%), mishi (7,8%), energjia elektrike gaz dhe lëndë djegëse të tjera (7,5%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtja e shtëpisë (7,3%) etj.
Siç shihet, në krye të çmimeve të ngritura të ushqimeve gjatë vitit që shkoi gjenden perimet, duke prirë madje me një përqindje të theksueshme te çmimet e ngritura.
Më 2023, pra, gjatë tërë vitit, e sidomos gjatë muajve të verës, kur praktikisht është sezoni i prodhimeve bujqësore të arritura edhe nga arat e fermerëve dhe kopshtarëve kosovarë, në tregjet e gjelbra shpërthyen çmimet. U dyfishuan dhe trefishuan sa çelë e mbyllë sytë, u thyen rekorde e rekorde për të arritur në nivelin e çmimeve ndër më të lartat në rajon dhe për t’u bërë thuaja të paprekshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve të lodhur financiarisht.
Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë “hypën në qiell” sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre. U ngritën në gusht dhe në shtator çmimet thuaja të të gjitha produkteve bujqësore, sidomos i perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë.
Në tregjet e gjelbra ndodhi shfrenimi i çmimeve, thuaja në përmasa të paimagjinueshme për qytetarët. Një kilogram i specave tashmë popullor në Kosovë, të somborkave që me vite kultivohet gjithandej në arat dhe kopshtijet e vendit dhe ka vite që konsumohet shumë nga kosovarët, në shtator nuk ka mundur të gjendet nën çmimin 1,5 euro. Ose thesi me rreth 3 kilogramë specash të këtij lloji që pati çmimin në 5-5,5 euro, ndërkohë që më 2022 në të njëjtën kohë ka kushtuar 1,5 deri në 1, 8 euro.
Në shtator, në tregjet tona të gjelbra, por as në markete e supermarkete dhe në shitore të specializuara të pemëve dhe të perimeve, çmimi i një kilogrami të domateve më cilësore nuk mund të gjendej nën 2 euro. Një kilogram i domates cilësore dhe prodhim i vendit, në shtator të 2022-tës kushtonte edhe 2,2 dhe 2, 5 euro. Kurse, trangujt që prodhohen me shumicë në kopshtijet e kosovarëve, në rajonin e Prizrenit dhe të Mamushës, që deri vonë kanë kushtuar 50 e 60 centë në shtator thuaja se tregtoheshin me çmim të standardizuar, por trefish më të lartë, e që ishte 1,5 euro.
Në anën tjetër, fasulja e cilësisë së mirë, po kështu në shtator të 2022-tës në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me çmimin 6 euro kilogrami (ky çmim fatkeqsisht vazhdon të mbahet edhe këtyre ditëve të fillimit të 2024-tës). Ndërsa spinaqi, farën e të cilit ku ta mbjellësh në toka e Kosovës “bëhet”, që vjet në disa raste tregtohej edhe me 6-8 euro, tashmë ka rënë shumë.
Ndërsa rritjen e çmimeve e konfirmonte edhe ASK-ja, sipas së cilës, çmimi i perimeve në gusht të 2022-tës, është rritur për 28 për qind, krahasuar me gushtin e vitit 2021.
Sipas tregtarëve, çmimet e shfrenuara të perimeve, janë edhe rrjedhojë e mungesës së tyre. Thjeshtë, Kosova nuk ka sasi të mjaftueshme të perimeve për të përmbushur nevojat e qytetarëve të vet. Tani në mungesën e perimeve, përveç kultivimit më të vogël të perimeve dhe “tkurrjes’ së kopshtarëve në Kosovë, po ndikon edhe eksporti gjithnjë e më i shumtë i perimeve kosovare në shtetet e Perëndimit. Sivjet thuaja shumica absolute e specit cilësor, e karrotës, por edhe e qepëve dhe të disa perimeve të tjera është eksportuar për në Gjermani, Zvicër dhe gjetiu. Pak a shumë çmimet e larta të perimeve vazhdojnë të mbajnë të njëjtin ritëm edhe tani gjatë dimrit, që realisht nuk është sezoni i tyre dhe ku dominojnë perimet e importuara. Vetëm lakrat, që duket se gjatë vitit që shkoi janë kultivuar në sipërfaqe të mëdha dhe që patën rendimente të imponueshme, ka pasur një çmim të pranueshëm për kosovarët e varfër.
Tani, pas liberalizimit të vizave dhe vrullit të ikjes goxha masive nga Kosova, siç njoftojnë ekspertët e këtij sektori dhe njohësit e tregjeve bujqësore të vendit, ka rrezik të na presin ditë edhe më të ngrysura sa i përket prodhimtarisë së perimeve. Mungesa e fuqisë punëtore, gjithsesi, do të ndikojë në tkurrjen e sipërfaqeve të kultivuara me të gjitha kulturat bujqësore dhe patjetër edhe me perime, që automatikisht do të thotë më pak produkte perimesh, më pak konkurrencë të prodhuesve vendorë dhe çmime më të larta të tyre. Natyrisht, do ta kenë ndikimin e tejdukshëm edhe kostoja e lartë e kultivimit të perimeve reflektuar nga çmimet e larta të karburanteve dhe repromaterialit (farërave, rasateve cilësore dhe plehrave të domosdoshme).
Prandaj, çmimet e vjetshme të produkteve bujqësore gjithsesi do të duhej të reflektonin te shumë kosovarë që kanë lënë tokat e tyre djerë me vite. Në radhë të parë, për shkakun se tani nuk ka më humbje nga puna e arave, nuk është bjerrje kohe. Është fitim, është mirëqenie dhe të ardhura të mira familjare. Të gjitha perimet, por edhe shumicën e produkteve bujqësore (pos agrumeve) i “bën” dhe i rritë toka shumicë e Kosovës. Vetëm në dhjetëra ari të bëhej kultivimi i tyre në tokat djerrë dhe në kopshtijet e reduktuara, do të kishim me shumë perime, edhe çmime më të arsyeshme, por edhe fitime të shtuara familiare. /Buletini Ekonomik/