Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë prezantuar sot pakon më të re financiare, që ka për qëllim ndihmesën për qytetarët në këtë kohë krize. Kjo pako do të jetë rreth 150 milionë euro.
Kurti në një konferencë për media sot, ka njoftuar se që nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Kryeministri Kurti ka thënë po ashtu se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj.
Gjithashtu, ministri i Fonancave, Hekuran Murati, njoftoi se do të ketë mbështetje edhe për sektorin privat, duke iu ofruar mbështetje bizneseve që rrisin pagat e punëtorëve, me ç’rast do të subvencionohet 50 për qind e rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.
Ndërkohë, u paralajmërua edhe një ndihmë me nga 100 euro edhe për studentët në muajin nëntor. /Buletini Ekonomik/