Reduktimet rritën edhe çmimet e qirinjëve

Nëpër rrjetet sociale ka pasur ankesa ditëve të fundit që “ka rritje të çmimit të qirinjve”. Ky ndryshim çmimi u vërjet menjëherë pasi filluan reduktimet e energjisë elektrike, më 15 gusht.

E në lidhje me këtë çështje, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), ka treguar për Gazetën Express se në vazhdimësi i bëjnë shqyrtimet në treg nëse ka shkelje të rregullave të konkurrencës, duke përfshirë edhe produktin e qirit.

“Autoriteti në vazhdimësi është duke bërë shqyrtimin paraprak të tregjeve të konsumit. Të gjitha format që konsideron shtrembërim apo kufizim i konkurrencës në tregjet përkatëse, nga operatorët ekonomikë që operojnë në këto tregje, do të jenë objekt i shqyrtimit nga Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës, duke përfshirë e çështjen e qirinjve”, thuhet në përgjigje.

Reklama e sponzorizuar

Ky institucion për një vit ka qenë pa bord, në një kohë kur çmimet për produktet esenciale, si dhe ato të energjisë dhe karburanteve e kishin marrin qiellin.

Pa bord, AKK-ja nuk mund të gjobisë.

Në qershorin e këtij viti, Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur për kryetare të bordit  Neime Binaku Isufin.

Kryetarja e bordit, muajin që shkoi,  ka autorizuar ekipin kompetent që të monitorojë çmimet e paletit, që lidhen me procesin e ngrohjes.

“Kryetarja e Autoritetit Znj. Neime Binaku Isufi, gjatë muajit gusht ka autorizuar, Departamentin për Mbikëqyrjen e Tregut, të bëjë shqyrtimin paraprak, për produktin e peletit dhe disa produkteve që ndërlidhen me çështjen e energjisë, pas shqetësimeve të ngritjes së çmimeve në tregun e Republikës së Kosovës. Pas vlerësimit të situatës dhe të gjeturave, Autoriteti zhvillon procedurën sipas dispozitave të ligjit për Mbrojtjen e  Konkurrencës”, thuhet në përgjigjjen për AKK-së për Gazetën Express.

Sipas Bankës Botërore inflacioni në Kosovë është mbi 19 për qind. Kjo ka bërë që shporta e konsumatorit të peshojë më lehtë e të kushtojë më shumë.

Në një situatë të këtillë në vend janë shtuar edhe kërkesat për rritje pagash, në arsim dhe administrata.

Qeveria e Kosovës thotë se po bëjnë gjithçka përmes Pakos për Ringjalljen Ekonomike.

Por opozita ekzekutivin e drejtuar nga Albin Kurti e konsideron si “të paaftë për qeverisje”.