Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku ka marrë vendim që ta dërgoj në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë.
Kështu ka njoftuar Kryesia përmes një njoftimi për media.
“Kryesia ka proceduar edhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116””, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e së enjtes është vendosur që të dërgohet në Qeveri për mendim edhe Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.
Kujtojmë se Kuvendi në qershor i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Menjëherë pati nisur një peticion. Më 15 korrik peticioni me 21 mijë nënshkrime u dorëzua në Kuvend.