Sipas Schnabel, disa goditje ndaj rritjes ekonomike dhe punësimit mund të ishin të nevojshme, ndërsa Villeroy de Galhau thotë se objektivi i normës së inflacionit është “i padiskutueshëm”.
Do të nevojitet një “sakrificë” më e madhe për të zbutur inflacionin, sesa në periudhat e mëparshme të shtrëngimit të politikës monetare, sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore Europiane, të cilët paralajmëruan se rritja e çmimeve rrezikon të dalë jashtë kontrollit nëse nuk ndërmerren veprime të forta.
Isabel Schnabel, një anëtare e bordit ekzekutiv të BQE-së, dhe François Villeroy de Galhau, guvernator i Banque de France, thanë të shtunën se politika monetare europiane do të duhet të mbetet e shtrënguar për një periudhë të gjatë kohore.
Deklaratat e tyre në mbledhjen e Jackson Hole me drejtuesit e bankave qendrore të të gjithë botës në Wyoming, SHBA, erdhën pas asaj të kryetarit të Rezervës Federale, Jay Powell, i cili të premten u zotua të “vazhdojë përpjepkjet” për të reduktuar inflacionin.
Ritmi i rritjes së çmimeve po arrin një nivel që nuk ishte parë për shumë dekada në ekonomitë më të përparuara të botës.
“Bankat qendrore mund të duhet të përballen me një ‘raport sakrificash’ më të madh se ai i viteve 1980, edhe nëse çmimet do t’i përgjigjeshin më shpejt ndryshimeve në kushtet e brendshme ekonomike, pasi globalizimi i inflacionit e bën më të vështirë për bankat qendrore që të kontrollojnë presionet e çmimeve,” tha Schnabel.
Raporti i sakrificave mat se sa pasoja negative do të duhet të shkaktojnë bankat qendrore për sa i përket rritjes së dobët ekonomike dhe krijimit të ulët të vendeve të punës, në mënyrë që të rikthejnë inflacionin nën kontroll.
Villeroy tha se nuk duhet të ketë “asnjë dyshim” për gatishmërinë e bankës për të rritur normat përtej të ashtuquajturës normë neutrale, një nivel që as nuk e ndihmon dhe as nuk e kufizon rritjen. Ai vlerësoi se kjo normë është midis 1 dhe 2 për qind. Villeroy tha se ky nivel mund të arrihet “përpara fundit të vitit”, duke shtuar: “Vullneti dhe kapaciteti ynë për të përmbushur detyrimet tona janë të padiskutueshëm”.
Inflacioni i eurozonës pritet të vendosë një rekord të ri prej 9 për qind në muajin gusht krahasuar me një vit më parë, kur të publikohen të mërkurën të dhënat më të fundit.
Schnabel bëri thirrje për “një vendosmëri të qartë për ta rikthyer inflacionin sa më shpejt tek objektivi”. Ajo shtoi se nëse një bankë qendrore “nënvlerëson kohëzgjatjen e inflacionit – siç ka bërë shumica prej nesh përgjatë periudhës së fundit prej një viti e gjysmë – dhe nëse tregohet e ngadaltë me përshtatjen e politikave të saj, kostot mund të jenë të konsiderueshme”.
Pas plot tetë vitesh, BQE-ja i dha fund normave negative të interesit muajin e kaluar, duke rritur normën e depozitave me gjysmë pikë përqindjeje dhe duke e ҫuar atë në zero, një rritje që tejkaloi edhe udhëzimet e saj të mëparshme. Disa nga 25 anëtarët e këshillit drejtues po bëjnë thirrje që banka të konsiderojë një rritje të mëtejshme të normës prej 0.75 pikë përqindjeje në mbledhjen e 8 shtatorit.
Schnabel, një ish-profesore gjermane e ekonomisë, e cila iu bashkua bordit të BQE-së në fillim të vitit 2020, është një nga zërat më me ndikim në politikat e bankës qendrore, si shefja e operacioneve të tregut. Ajo paralajmëroi se “presionet e paprecedenta të furnizimeve me gaz, problematikat në tregjet e punës dhe kufizimet në ofertën agregate kërcënojnë të sjellin një proces inflacioni që po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u kontrolluar, sa më me hezitim që të veprojmë ndaj tij”.
Pritshmëritë për inflacionin po rriten mes publikut dhe parashikuesve profesionistë, shumë prej të cilëve presin që çmimet të vazhdojnë të rriten për disa vite me më shumë se objektivi prej 2 përqind i BQE-së, tha Schnabel, duke shtuar se besueshmëria e këtij institucioni ishte në rrezik.
“Si gjasat, ashtu dhe kostot që do të vinin nga rrënjosja e inflacionit të lartë në pritshmëritë e njerëzve, janë tepër të larta”, tha Schnabel. “Në këto kushte, bankat qendrore duhet të veprojnë me forcë.”
Villeroy, i cili zakonisht ndjek politikat e qendrës në këshillin drejtues të BQE-së, mbështeti politikat shtrënguese. Por, guvernatori i bankës qendrore franceze sinjalizoi se ai vazhdon të mendojë që një rritje e normës prej 0.5 pikë përqindjeje do të ishte e mjaftueshme për muajin e ardhshëm, duke thënë se ai favorizonte “një hap tjetër të rëndësishëm në shtator”.
Këto komente vijnë një ditë pasi Powell ripërcaktoi pritshmëritë se sa shumë dhe për sa kohë mund të jetë nevoja që të rriten normat e interesit në SHBA, teksa Fed përballet me presionet e larta të çmimeve, të cilat janë nxitur pjesërisht nga faktorë që lidhen me ofertën, por edhe me tepricën e kërkesës.
Kryetari i bankës qendrore amerikane paralajmëroi se përpjekjet për të reduktuar aktivitetin ekonomik ka të ngjarë të sjellin një “periudhë të qëndrueshme” me rritje të ulët ekonomike, një treg më të dobët pune dhe “disa sakrifica” për familjet dhe bizneset.
Ashtu si homologët e tij në BQE, Powell tha se dështimi për të zbutur me sukses inflacionin tani do të sillte kosto më të larta më vonë, duke nënkuptuar kështu se Fed nuk ka gjasa të ndalojë ciklin shtrëngues në të ardhmen e afërt.
Nga ana tjetër, duke folur nga audienca gjatë seksionit të pyetje-përgjigjeve në panelin e Jackson Hole, Haruhiko Kuroda, guvernatori i Bankës së Japonisë, tregoi arsyet pse vendi i tij nuk po shtrëngon në mënyrë agresive politikën monetare.
“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojmë lehtësimin e politikës monetare, derisa pagat dhe çmimet të rriten në një mënyrë të qëndrueshme”, tha ai. Kuroda parashikoi që inflacioni japonez do t’i afrohej shifrës 3 për qind deri në fund të këtij viti dhe më pas do të ngadalësohej në 1.5 për qind vitin e ardhshëm./Financial Times/