Dollari amerikan po qëndron pranë nivelit më të ulët në 3 javët e fundit në sesionin e sotëm, për shkak të shenjave të tjera për ngadalësimin e ekonomisë amerikane, që mund të detyrojnë Rezervën Federale të ngadalësojë hapin e rritjes së interesave.
Në anën tjetër, paundi britanik po tregtohet në nivelin më të lartë në 6 javët e fundit, pasi kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, premtoi se do ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
Edhe euro po qëndron në nivelin më të lartë në 6 javët e fundit, në raport me dollarin amerikan, ndërsa investitorët po presin vendimin që do të marrë Banka Qendrore Europian dnë takimin e së enjtes. Analistët parashikojnë gjerësisht se norma bazë e interesit do të rritet me 0.75 pikë përqindje. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 111, niveli më i ulët që nga 5 tetori.
Të dhënat e publikuara në SHBA treguan se çmimet e shtëpive ranë gjatë muajit gusht, për shkak të ngadalësimit të kërkesës. Ndërkohë, në tregun e kriptomonedhave, bitcoin i është afruar 20 mijë dollarëve, pasi u rrit me rreth 4% në sesionin e kaluar, kryesisht për shkak të dobësimit të dollarit amerikan. Ethereum po tregtohet në rreth 1,500 dollarë, ndërsa një ditë më parë u rrit me rreth 8.7%. /Scan tv/