Inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin shtator 2022, ka arritur në 12.7 për qind, nga 13% sa ishte në muajin gusht, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Mirëpo, kjo rënie e ndjeshme në normën e inflacionit nuk është vërejtur pothuajse fare, pasi edhe në shtator është shënuar rritje enorme e çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë.
Në krahasim me një muaj më herët, inflacioni në shtator ra për vetëm -0.2 për qind, përcjell Buletini Ekonomik. Pra, sipas të dhënave në raportin e ASK-së, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2%) në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin gusht 2022.
Rritjen më të madhe në çmim këtë shtator, në krahasim me shtatorin e vitit 2021, e kanë pësuar lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. që u rritën me gjithsej 60.2%, vajrat dhe yndyrnat ushqimore me 49.7%, buka dhe drithërat me 33.5%, qumështi, djathi dhe vezët me 25.8%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal u rritën me 24.7%, gazi me 23;9%, mishi me 22.3%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollatat dhe ëmbëlsirat me 21.1%, kafeja, çaji dhe kakao me 17.9%, prodhimet e ndryshme ushqimore, salcat, erëzat, kripa, ushqimi për fëmijë etj. me 16.7%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 16.2%, shërbimet për transport u rritën me 15.7%, shërbimet hoteliere me 14.2%, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit me 13.3%, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht me 10.9%, kujdesi personal me 8.3%, gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare me 7.3%, mobilet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesat e tjera dyshemeje me 6.7%, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal me 6.4%, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 6.2%; pajisjet shtëpiake me 5.9%; blerjet e automjeteve me 5.5%; duhani me 5.4%, pijet alkoolike me 5.2%, produktet farmaceutike me 4.9%, dhe qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës me 4.4%.
Ndërsa, rënie e çmimeve gjatë kësaj periudhe është vërejtur te nëngrupi i COICOP-it: pemët ranë në çmim me -6.8%, perimet me -1.9%, dhe energjia elektrike që ra me -1.4%, me një ndikim prej (-0.3 për qind) në IHÇK.
Ndërkaq, norma mujore e inflacionit e matur në muajin shtator 2022, me muajin gusht 2022 ishte -0.2%. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it, si: pushime të organizuara që ranë me -13.0%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me -5.9%, shërbimet për transport me -4.7% (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), pemët me -3.2%, dhe energjia elektrike me -1.1%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6 për qind) në IHÇK.
Ndërsa, ngritje e çmimeve në muajin shtator u vërejt më së shumti tek lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. që u rritën me 9.2% në krahasim me muajin gusht, tek mobilet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesat e tjera dyshemeje me 2.5%, tek perimet me 2.0%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.5%, bukë dhe drithëra me 0.7%, dhe mishi që pësoi rritje për 0.6%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK. /Buletini Ekonomik/