Në Kosovën e politizuar, ekonomia tërësisht e margjinalizuar

Mehmet Gjata

Zhvillimet dramatike politike që vazhdojnë të ndodhin, herë më shumë, herë më pak, por gjithnjë të ndjeshme, dhe me pasoja evidente për të funksionuar normalisht shteti i Kosovës, i kanë qitur në plan të dytë dhe të tretë zhvillimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e shtetit. Në plan të dytë, ose totalisht e margjinalizuar, ka kohë që gjendet ekonomia mbarë, zhvillimet ekonomike në të gjithë sektorët: në investime kapitale, në infrastrukturë, në sektorin e minierave, në zhvillimet në bujqësi, në politika sociale, në arsim, shëndetësi etj.

Mehmet GJATA

Kosova aktualisht është skajshmërisht e politizuar. Zhvillimet dramatike politike që vazhdojnë të ndodhin përditë, herë më shumë, herë më pak, por gjithnjë të ndjeshme, dhe me pasoja evidente për të funksionuar normalisht shteti i Kosovës, i kanë qitur në plan të dytë dhe të tretë zhvillimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e shtetit. Në plan të dytë, ose totalisht e margjinalizuar, ka kohë, muaj e edhe vite, që gjendet ekonomia mbarë, zhvillimet ekonomike në të gjithë sektorët: në investime kapitale, në infrastrukturë, në sektorin e minierave, në zhvillimet në bujqësi, në politika sociale, në zhvillimet në politikat sociale, në arsim, shëndetësi etj.

Reklama e sponzorizuar

Situata politike e kushtëzuar sidomos nga zhvillimet në veri të republikës, domosdo e ka ndikimin, qoftë të drejtpërdrejtë, qoftë të tërthortë edhe në ekonominë e vendit. Dhe për këtë, tashmë po deklarohen edhe publikisht organizata e asociacione të ndryshme që në fokus të veprimtarisë së tyre kanë zhvillimet ekonomike e sociale.

Së fundi, të mërkurën (më 14 qershor 2023) shpërfaqi shqetësimin publikisht Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare. Sipas OEGJK, si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, po dëgjojë shqetësime nga ankesat e pranuara. “Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”, thuhet në njoftim.

Një ditë pas OEGJK-së, edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur në twitter, një farë mënyre shqetësimin e Odës Ekonomike Gjermane, ku shkruan se “dëmet shqetësuese të përspektivës ekonomike për Kosovën tashmë janë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj përballë komunitetit të biznesit”. Ai, me këtë rast, ka ripërsëritur thirrjen nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për “deeskalim të menjëhershëm”.

Ka, gjithsesi edhe disa reagime, pak a shumë të ngjashme, ndër to edhe sosh, që janë shumë politike, edhe pse kamuflohen me shqetësimin për ndikimin e keq të gjendjes politike në ecuritë ekonomike. Kjo, pak a shumë është gjendja aktuale në këtë plan, ndërsa mediet që merren me trajtimin e zhvillimeve ekonomike, në këto rrethana, nuk e kanë aspak të lehtë të kryejnë misionin e tyre, të trajtojnë pra tema nga fusha ekonomike, që realisht është e anashkaluar tërësisht nga zyrtarët kompetentë të institucioneve kosovare, të shumtën duke mos pasur shkas për këtë dhe duke shfrytëzuar situatën politike në veri për ikjën nga përgjegjësia e detyrave për cka paguhen nga taksapaguesit e këtij vendi.

Në këtë mënyrë, tani e sa kohë, mediet e profilizuara që trajtojnë ekskluzivisht zhvillimet, ecuritë dhe ngjarjet në sektorët e përmendur, po ndodhë shumë shpesh dhe në shumë raste të ballafaqohen me situata të pakëndshme dhe sfiduese nga përfaqësuesit e institucioneve që janë kompetente dhe e kanë detyrë që të japin të dhëna dhe përgjigje rreth zhvillimeve ekonomike.

“Ua, si po të bie ndër mend të merresh më këtë cështje, në këto kohë kur në veri po zien dhe po ndodhin gjithë këto ngjarje’, është bërë thuajse përgjigje refren e përfaqësuesve të institucioneve kompetente dhe që e kanë obligim ligjor të kthejnë përgjigje në pyetjet e dërguara. Këta zyrtarë, duke sforcuar apostrofimin e situatës në veri të vendit, që po shihet që nuk është aspak normale, dhe si e tillë, deshëm s’deshëm po e vështirëson dhe e crregullon angazhimin real në të gjitha hallkat e frymëmarrjes së shtetit, thjesht po bëjnë manipulime për mospunën e tyre dhe mospërmbushjen e detyrave kontraktuese të punës. Sepse, ata (zyrtarët kompetentë të institucioneve zhvillimore e sociale) thënë shkurt e shqip, nuk e kanë as detyrë, as obligim, as kompetencë që të merren me situaten politike.

Shumë dikastere qeveritare dhe agjenci publike që në fokus të veprimtarisë së tyre zhvillimet ekonomike si dhe stafet udhëheqëse të ndërmarrjeve vitale publike, duhet t’i kryejnë detyrat e tyre, në radhë të parë. Këto institucione (dihen dhe kanë emra ministritë në Qeverinë e Kosovës, të cilat pavarësisht situatës politike, duhet të preokupohen përditë me cështjet zhvillimore dhe sociale), sikundër edhe krerët e tyre, e kanë detyrë që të realizojnë objektivat investive, të punësimit, të eksportit eventual, të kontrollit për ta parandaluar abuzimin me cmime të ngritura përditë dhe në kohën kur në mbarë botën po shënohen ulje cmimesh, të realizimit të kontratave me kohë të punëkryesve të shumtë etj.

Ndërsa udhëheqësit e ndërmarrjeve prodhuese e shërbyese publike e kanë për detyrë që të përmbushin planin e prodhimit dhe t’u shërbejnë sa më me efektivitet qytetarëve të këtij vendi edhe në këtë kohë, me situata të cregulluara politike në pjesë të territorit të vendit.

Administrata shtetërore e ka për detyrë edhe në këtë situatë t’i përmbushë kërkesat e qytetarëve, qofshin ato të rritura, të evitojë radhët e stërgjatura të njerzëve që presin me orë të tëra para sporteleve për një certifikatë pronësie, një fletë poseduese, apo dokumnete që përditë u nevojiten atyre. Pa pretenduar për të predikuar, këto janë pak a shumë detyrat e institucioneve të apostrofuara në këtë tekst.

Ndërsa, me situatën politike dhe të sigurisë në vend, dihet, kush e ka mandatin që të merret dhe të preokupohet, dhe poashtu dihet se për cdo shkarje eventuale në këtë plan, domosdo herdokurë do të jepet përgjegjësi. Por, edhe në rrethana krizash afatshkurtëra, apo afatgjate, shteti dhe qytetarët e tij kanë kërkesa, dhe këto kërkesa duhet të përmbushen, domosdo./Buletini Ekonomik/