3.2 miliardë euro do të jetë buxheti i Kosovës për vitin 2023

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ky buxhet vjen pas “vitit më të suksesshëm në histori, për të hyrat”.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se nga ky buxhet, rreth 750 milionë euro do të jenë për paga e mëditje, ndërsa 493 milionë për mallra e shpenzime.

Në konferencën për media pas mbledhjes, ministri Murati ka konfirmuar se buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë 123 milionë euro, apo rreth 20 për qind më shumë se buxheti i sivjetmë që ishte 102 milionë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se projektbuxheti ka tri objektiva: Vazhdim të konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike, zbutjen e ndikimit të presioneve të larta inflacionare që vjen nga importi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale për rritjen ekonomike.

“Ekonomia e Kosovës ka treguar rezistencë të mjaftueshme sa i përket përballueshmërisë me kriza. Deri në fund të vitit parashikojmë të kemi 3.8 deri në 4.1 për qind rritje ekonomike. Pritet një dinamikë e përshpejtuar e ekzekutimit të investimeve publike për shkak të zbatimit të kontratave në pritje që mundësohen me ligjin për mbështetjen e punëve publike. Eksporti i mallrave pritet të vazhdojë në trendin rritës të deritanishëm. Projeksionet mbi të hyrat për vitin 2023 pritet të arrijnë 2 miliard e 840 milionë euro”, ka thënë Murati.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe draftin e raportit nëntëmujor financiar të Buxhetit 2022.

Është miratuar edhe vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizim të energjisë për 30 ditë.