Kosova shpenzoi mbi 40 milionë euro për pensione dhe shtesa për fëmijë në qershor

Në muajin qershor të vitit 2026, skemat e mirëqenies sociale në Kosovë kanë përfshirë mijëra qytetarë përmes pensioneve dhe ndihmave sociale.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për skemat e mirëqenies sociale, numri më i madh i përfituesve është regjistruar te shtesat për fëmijë, ku përfituan 401,786 prej tyre, ndërsa shuma e paguar arriti në 14.55 milionë euro gjatë qershorit.

Ndër skemat pensionale, numrin më të madh të përfituesve e kanë pensionet bazike të moshës, me 168,812 përfitues, për të cilët u ndanë rreth 26.97 milionë euro. Pas tyre renditen pensionet familjare, me 39,561 përfitues dhe pagesa prej rreth 7.84 milionë eurosh.

Pensionet e personave me aftësi të kufizuara u janë paguar 21,644 përfituesve, me një vlerë totale prej rreth 3.56 milionë eurosh, ndërsa pensionet kontributpaguese të moshës kanë përfshirë 47,971 qytetarë, me pagesa prej 11.73 milionë eurosh.

Ndërkohë në kuadër të skemave sociale, 15,090 përfitues kanë marrë ndihmë sociale, me një vlerë prej rreth 2.25 milionë eurosh. Ndërkaq, skema për përkrahjen e familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara ka përfshirë 4,258 familje, me pagesa prej rreth 638 mijë eurosh.

Shuma e mjeteve sipas kategorive të përfituesve

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 15,427 persona kanë përfituar nga skema e kompensimit për punëtorët e arsimit të viteve 90/91 deri në 98/99, me një shumë totale prej rreth 1.35 milionë eurosh.

Në kategoritë tjera përfshihen edhe pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës me 975 përfitues, pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës me 1,384 përfitues, si dhe skemat për veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta.

Në total, skemat e mirëqenies sociale vazhdojnë të përbëjnë një nga zërat kryesorë të shpenzimeve publike, duke mbështetur qindra mijëra qytetarë përmes pensioneve, ndihmave sociale dhe skemave familjare. /Buletini Ekonomik/

LEXO MË SHUMË:

4 miliardë euro për 2026, Instituti GAP: Rritje për pensione dhe skema sociale – mungojnë projekte të mëdha infrastrukturore