E gjithë Europa është pushtuar nga temperaturat jashtëzakonisht të ngrohta këtë tetor dhe kjo ka mundësuar shtyrjen e ditës së frikshme kur do të duhet të ndizet ngrohja, e cila do të bënte që faturat e energjisë të shkonin në nivelet më të larta të dekadave të fundit.
Por, një dimër i errët po vjen në Europë, pasi çmimet e larta të energjisë dhe mungesat e furnizimeve po shtojnë dyshimet për faktin nëse vendet do të jenë në gjendje që të mbajnë dritat hapur dhe të ngrohin shtëpitë në muajt e ardhshëm.
Kohët e dëshpëruara kërkojnë masa të dëshpëruara. Europa tani po dyfishon infrastrukturën e emergjencës, e cila do t’i lejonte asaj që të përballej paraprakisht me këto kohë të frikshme, duke përfshirë edhe zgjidhjen më të re – të ashtuquajturat “anijet e energjisë”.
Këto centrale masive lundruese, të cilat duken njësoj si centralet tokësore me përjashtim të faktit që lundrojnë në oqean, kanë vite që ekzistojnë. Anija e parë e tillë u ndërtua në vitin 1931 në SHBA, duke shndërruar një anije ekzistuese në një central elektrik lundrues që mund të lëvizte nga njëri vend në tjetrin, aty ku nevojitej energji elektrike.
Në ditët e sotme, anijet e energjisë elektrike përdoren për të prodhuar energji për miliona njerëz që jetojnë në tokë, kryesisht në ato vende ku ndërprerjet dhe mungesat e energjisë janë më të zakonshme. Pjesa më e madhe e këtyre centraleve lundruese janë vendosur në vendet në zhvillim të Afrikës dhe të Azisë. Në Europë, pamjet e këtyre anijeve të energjisë elektrike janë tepër të rralla.
Por, kjo mund të mos jetë e vërtetë edhe për shumë kohë. Kompania turke Karpowership, një nga ndërtuesit, operatorët dhe pronarët më të mëdhenj të anijeve të energjisë në botë, thuhet se është në bisedime me katër shtete anëtare të BE-së për t’i furnizuar ato me centrale lundruese që kanë një kapacitet total prej 2 gigavat.
“Nëse mund të arrijmë të kalojmë procedurat burokratike, të përgatisim dokumentacionin, atëherë shpresojmë se do të mund të prodhojmë energji elektrike me një kosto shumë të ulët, ndërkohë që do të mbetemi brenda rregulloreve të BE-së për mjedisin,” tha Zeynep Harezi, shefe e operacioneve tregtare në Karpowership gjatë një interviste të fundit.
Sipas Karpowership, anijet e nergjisë mund t’i kursejnë Europës nga 30 deri në 60 për qind të kostove të gazit, duke gjeneruar energji me 2,000 tension të mesëm (mV). Lidhja e centraleve të tilla lundruese me rrjetet elektrike të vendeve europiane do të kërkonte vetëm 30 ditë, thotë kompania.
Harezi nuk zbuloi se cilat janë katër vendet që kanë kërkuar anijet e energjisë, por tha se centralet lundruese mund të jenë gati për t’u ankoruar në portet e Europës që në dhjetor.
Kompania ka në dispozicion tetë anije të tilla, me një kapacitet total prej 2 gigavat, të cilat mund ta ndihmojnë Europën që të mbushë boshllëkun e krijuar nga ndërprerja e furnizimeve me energji nga Rusia përpara se ky vend të pushtonte Ukrainën.
Në shtator, një zëdhënës i ministrisë së ekonomisë dhe të klimës në Gjermani tha se vendi i tij po shikonte mundësinë e pajisjes me këto anije të prodhimit të energjisë elektrike për të siguruar furnizime të mjaftueshme dhe për të shmangur ndërprerjet e energjisë.
Jashtëzakonisht fleksibël dhe lehtësisht të lëvizshme, këto centrale masive lundruese që funksionojnë me naftë janë në gjendje që të vendosen aty ku nevojiten më shumë, duke u ankoruar në portin e çdo qyteti, duke filluar punën me turbinat e tyre dhe duke u lidhur me rrjetet kombëtare të energjisë elektrike.
Një ndër aspektet negative mbetet fakti që anijet e energjisë elektrike djegin gaz natyror të lëngshëm, lëndë djegëse me nivele të ulëta të squfurit ose bionaftë në mënyrë që të mund të prodhojnë energji, dhe kjo do të dëmtonte axhendën europiane për klimën në kushtet e kostove stratosferike të energjisë.