Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se pas një aksioni të djeshëm në disa subjekte biznesore, të cilët kanë borxhe të pa-paguara, ka inkasuar borxhe në vlerën mbi 700 mijë euro.
Ky aktivitet është realizuar në regjionin e Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjilanit.
Në kuadër të këtij aksioni, sipas ATK-së, mbledhësit tatimor kanë mbyllur dhe sekuestruar prona të bizneseve për mos-pagesë tatimit, duke shtuar se të njëjtat aktivitete të mbledhjes së detyrueshme do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Përmes një njoftimi për media, Administrata Tatimore i njofton të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime të pa-paguara, të kontaktojnë Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme dhe të paguajnë detyrimet tatimore, në mënyrë që të mos ballafaqohen me masa të konfiskimit.
Gjithashtu, nga ATK-ja kanë bërë thirrje që tatimpaguesit të jenë bashkëpunues në pagesën e borxheve të tyre, si dhe të njoftohen për mundësitë që ofron Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat në pagesën e borxheve tatimore. /Buletini Ekonomik/