Banka Botërore: Ndihma ndaj secilit për fatura të energjisë kushton shtrenjtë

Banka Botërore ka paralajmëruar se qeverive u kushton shumë shtrenjtë që t’i ndihmojnë secilit, për shkak të rritjes së faturave të energjisë.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, ka thënë se skemat për mbështetje në kohën e pandemisë së koronavirusit nuk kanë shënjestruar më të cenueshmit dhe se shlyerja e borxhit do të marrë kohë me dekada.

Sipas tij, politika të ngjashme janë duke u miratuar për t’iu ndihmuar njerëzve me rritjen e çmimeve të energjisë.

Reklama e sponzorizuar

“Qeveritë janë duke thënë se do të kujdesemi për secilin, diçka që do të jetë shumë e shtrenjtë”, ka thënë ai.

Instituti për Financa Ndërkombëtare, ka thënë se borxhi global ka arritur në 305 trilionë dollarë më herët gjatë këtij viti dhe pritet të rritet edhe më shumë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë është duke shkaktuar rritje të mëtejme të çmimeve të energjisë.

Nëpër gjithë Evropën, qeveritë janë duke prezantuar masa për t’iu ndihmuar ekonomive familjare teksa përballen me rritje të tilla.

Kriza me energji vjen në kohën kur qeveritë tashmë kanë borxhe të mëdha për të paguar.

Malpass ka thënë se është i shqetësuar se ndihma shtesë do të ndikojë në rritje edhe më të madhe të inflacionit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që inflacioni global të ketë pikun në 9.5 për qind dhe se kjo shifër nuk do të nisë të ulet deri më 2024.

Perëndimi beson se Rusia është duke përdorur furnizimet me energji si armë, pas sanksioneve që i janë vënë Moskës për nisje të luftës në Ukrainë.

Kremlini, në anën tjetër, hedh poshtë këto akuza.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.