Për të rregulluar problemin e inflacionit të Amerikës, Rezerva Federale duhet të ndërmarrë hapa të mëdhenj. Shanset që një recesion i dhimbshëm të shmanget, duken të vogla
Gjatë verës, një shpresë e madhe nisi të rritej mes investitorëve. Inflacioni dukej se po binte butësisht edhe pse ekonomia e Amerikës ishte në gjendje të keqe.
Ndoshta po afrohej fundi i periudhës më të keqe të inflacionit që nga vitet 1980, pa rritur më tej normat e interesit dhe pa dhimbje të mëtejshme ekonomike.
Por tani, kjo ëndërr ka marrë fund. Shifrat e publikuara më 13 shtator, tregojnë se ritmi i inflacionit bazë në gusht ishte i shpejtë dhe i furishëm.
Tregjet e aksioneve ranë në nivelin më të lartë që nga muajt e parë të pandemisë; çmimi i bonove junk ka rënë dhe yield-et afatshkurtra të Thesarit u rritën. Amerika ka ende një problem inflacioni. Për ta rregulluar atë, Rezerva Federale duhet të marrë masa të konsiderueshme, SHKRUAN The Economist.
Lajmi i mirë është se vendi është kursyer nga kriza e gazit që po bën kërdinë në Europë. Ndërsa Vladimir Putin po ndërpret furnizimet me gaz, inflacioni në disa vende ka arritur në nivele dyshifrore. Amerika nuk varet nga furnizimet ruse me energji.
Norma e saj e inflacionit arriti kulmin në nivelin 9.1% në qershor dhe ra në 8.3% në gusht, pasi u ulën çmimet e naftës. Çmimet e benzinës kanë rënë për 13 javë rresht. Kjo, nga ana tjetër, ka ndihmuar në uljen e pritshmërive të konsumatorëve për inflacionin.
Megjithatë, po të mos marrim parasysh çmimet e paqëndrueshme të ushqimit dhe energjisë, inflacioni “bazë” është ende i lartë.
Çmimet u rritën me një normë vjetore prej 7.4% në gusht, duke tejkaluar parashikimet e ekonomistëve dhe shumë më lart se objektivi i Rezervës Federale për inflacionin e përgjithshëm prej 2%. Është tunduese të analizohen përbërësit e shportës së inflacionit në përpjekjen për të gjetur shenja ftohjeje.
Në një pikë, inflacioni u nxit nga çmimet stratosferike të makinave të përdorura dhe nga zinxhirët e dëmtuar të furnizimit, ndërsa amerikanët e mbyllur në karantinë, po blinin mallra pa fund. Që nga ajo kohë, këto presione janë zbutur. Sot, rritja e inflacionit po ndodh, për shkak të rritjes së çmimeve të disa shërbimeve, si për shembull të banesave, por edhe rritja e këtyre çmimeve mund të ngadalësohet në të ardhmen.
Megjithatë, në një kohë kur inflacioni bazë ka qenë aq i lartë për kaq shumë kohë, shpjegimi më i thjeshtë është më i dukshëm, pavarësisht se çfarë ndodh me komponentët individualë: ekonomia është ende duke u mbinxehur. Efektet e stimulit fiskal mjaft bujar, i cili nxiti kërkesën gjatë pandemisë, vazhdojnë të mbeten edhe sot.
Sipas Bankës Goldman Sachs, në total, familjet kanë ende më shumë se 2 trilionë dollarë kursime të tepërta që i kishin grumbulluar gjatë karantinave, dhe kjo shumë është e barasvlefshme me 10% të PBB-së vjetore.
Tregu i shtrënguar i punës po e rrit kërkesën edhe më tepër. Shkalla e papunësisë prej 3.7%, mbetet jashtëzakonisht e ulët, megjithëse ende ka rreth dy vende të lira pune për çdo person të papunë. Mungesa e madhe e punëtorëve ka çuar në rritjen e mprehtë të pagave, gjë që, nga ana tjetër, ka nxitur shpenzimet e konsumatorëve.
Sipas një treguesi, të ardhurat mesatare në Amerikë po rriten me 7% në normë vjetore, një ritëm që nuk është vënë re të paktën në dy dekadat e fundit. Ndërsa inflacioni në Europë pritet të ulet me zbehjen e goditjes energjetike, inflacioni amerikan, i cili është tepër i varur nga rritja e kërkesës në vend, është shumë më i vështirë për t’u ulur.
Detyra e Rezervës Federale është të përcaktojë normat e interesit në një mënyrë që inflacioni të arrijë objektivin. Ekonomia është ende e mbinxehur, çka tregon se Rezerva nuk e ka kryer punën e saj.
Megjithëse Banka Qendrore i ka rritur normat e interesit më shpejt se në ciklet e kaluara të shtrëngimit, ajo ka ngelur aq shumë mbrapa, sa që çdo tregues i rritjes së inflacionit, po trondit tregjet, pra e kundërta e asaj që pritet të arrijë një politikë e mirë monetare.
Në vend që të vazhdojë ciklin e vonesave dhe surprizave, Rezerva Federale duhet të ndërmarrë hapa më të mëdhenj, duke i rritur normat e interesit këtë vit, aq sa ç’kishte planifikuar për vitin 2023.
Shanset që një recesion i dhimbshëm të mund të shmanget, duken tepër të vogla. Vetëm në skenarët më pozitivë dhe të pagjasë, do të mjaftonte një rritje e lehtë e papunësisë, për të ngadalësuar ndjeshëm rritjen e çmimeve. Faza më e keqe në betejën për të zbutur inflacionin, nuk ka ardhur ende.