Korridor hidrogjeni mes Europës Jugore dhe Veriore – Synohet furnizimi i Europës Veriperëndimore me 4.6 milionë ton hidrogjen

Krijimi i një korridori të gjelbër hidrogjeni me qëllim furnizimin e Europës Perëndimore deri në 2030 është qëllimi që ka mbledhur bashkë në një deklaratë disa nga kompanitë europiane të energjisë.

Firma e energjisë Cepsa me seli në Madrid ka dalë me një deklaratë ku bën të ditur se do të bashkëpunoj me Portin e Roterdamit për të zhvilluar “korridorin e parë të gjelbër të hidrogjenit midis Europës Jugore dhe Veriore”, në shenjën më të fundit sesi sektori në zhvillim po tërheq interes nga kompani dhe organizata të mëdha.

Korridori i gjelbër i hidrogjenit synon të shfrytëzojë rrezet e diellit spanjolle dhe të dekarbonizojë veriun industrial të Europës.

Reklama e sponzorizuar

Në një njoftim firma e energjisë Cepsa, e cila është e përfshirë në eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror, tha se projekti do të krijojë “një zinxhir të gjelbër furnizimi me hidrogjen” midis Portit të Algeciras në Spanjën jugore dhe Roterdamit, qyteti holandez që është Porti më i madh i Europës.

“Marrëveshja përshpejton dekarbonizimin e industrisë së rëndë dhe transportit detar dhe mbështet pavarësinë energjetike dhe sigurinë e Europës. Bashkëpunimi është pjesë e ambicies së Roterdamit për të furnizuar Europën Veriperëndimore me 4.6 milionë ton hidrogjen të gjelbër deri në vitin 2030,” thuhet në deklaratën, e cila u publikua edhe nga Porti i Roterdamit.

Dy palët kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në lidhje me projektin. Aksionerët e Cepsa janë The Carlyle Group dhe Mubadala Investment Company Group.

Komisioni Europian ka thënë se dëshiron që 40 GW elektrolizues hidrogjeni të rinovueshëm të instalohen në BE deri në vitin 2030. Muajin e kaluar, presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje për hidrogjenin gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Bashkimit Evropian.