Edhe nëse gjendet një kompani “e përgjegjshme” e jashtme së shpejti, brenda javësh për riparimin kapital të A5-shit, punët rreth remontit të këtij blloku të stërvjetruar (rreth 50 vjet i vjetër), në asnjë mënyrë nuk mund të fillojnë para gjysmës së dytë të nëntorit, dhe nëse riparimi kapital do të zgjatë 3 e më shumë muaj siç rëndom zgjatin remontet kapitale, i bie që në asnjë rast kjo njësi e rëndësishme për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, nuk mund të aktivizohet para fundit të shkurtit, ose fillimit të marsit të 2023-tës.
Mehmet GJATA
Tani nuk ka më dilema se në dimrin që është në prag të derës, Kosova do të ketë mungesë të ndjeshme të energjisë elektrike për nevojat e konsumit vetanak. Gjithsesi, në shpërputhjen e madhe të përmbushjes së nevojave të konsumit vendor nga prodhimi i termokapaciteteve ekzistuese (termocentraleve Kosova A dhe Kosova B), që përkthehet në mungesën e madhe të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta dimërore, sidomos në dhjetor, janar dhe shkurt, do të ketë ndikim goxha vendimtar mungesa e energjisë elektrike nga blloku A5 i termocentraleve ‘Kosova A’.
Tashmë është thuaja fare e qartë se kjo njësi prodhuese, me kapacitet rreth 200 megavatë-orë energji elektrike në gjenerator dhe me fuqi në rrjet diku rreth 150 megavatë, që është jashtë funksionit që nga 19 korriku i këtij viti për shkak se ishte paraparë të bëhet remonti kapital, nuk do të aktivizohet as në muajt e dimrit. Remonti kapital, ai i përgjithshmi dhe që është më i detajuar dhe më kompleks, sipas ekspertëve të KEK-ut, zgjatë rreth 3 muaj. Ndërsa, siç tha këto ditë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, “Procedurat për këtë kanë filluar qe dy muaj, por s’po gjendet kompani e “përgjegjshme” për të kryer remontin”.
Pra, edhe nëse gjendet një kompani “e përgjegjshme” së shpejti, brenda javësh, punët rreth remontit të këtij blloku të stërvjetruar (rreth 50 vjet i vjetër), në asnjë mënyrë nuk mund të fillojnë para gjysmës së dytë të nëntorit, dhe nëse riparimi kapital do të zgjatë 3 e më shumë muaj, i bie që në asnjë rast kjo njësi e rëndësishme për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, nuk mund të aktivizohet para fundit të shkurtit, ose fillimit të marsit të 2023-tës.
Kësisoj, në mungesë të energjisë elektrike të këtij blloku (në mënyrë konstante A5 –shi ka prodhuar së paku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike), Kosova do të ketë minus së paku 150 megavatë-orë rrymë gjatë ditëve të ftohta të dimrit, kur konsumi i Kosovës di të shkojë edhe në 1200-1300 megavatë orë. Ndërsa, pa A5-shin, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe pa ndonjë të papritur, që nënkupton pa ndonjë defekt teknik të paparashikuar në njësitë e stërvjetruara ekzistuese dhe të mbetura për të prodhuar në dimër (B1, B2 dhe A3 e A4), gjithsej prodhimi do të arrinte në 780 megavatë-orë.
Të themi se një sasi simbolike të energjisë elektrike Kosova e siguron edhe nga kapacitetet e saja rinovuese, hidrocentralet e vogla dhe kapacitetet e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës.
Kjo pritet të jetë gjendja reale në sistemin elektroenergjetik të vendit në muajt e ftohtë të dimrit. Restriksionet do të jenë të paevitueshme, edhe nëse mbajmë shpresë se një sasi e mungesës së energjisë elektrike, po qe se mbushën liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit në Shqipëri, do të vie si këmbim me KESH-in, ose si kthim i huas-rrymës së deponuar nga KEK-u në KESH gjatë muajve të verës.
Në këtë mënyrë del që Kosova, nëse do që të ketë reduktime më të zbutura të energjisë elektrike, detyrimisht duhet të importojë një sasi jo të vogël të rrymës me çmime frikshëm të larta.
Pse u vonua nisja e punëve remontuese në bllokun A5?
Blloku A5 i termocentraleve “Kosova A” është jashtë funksionit që nga 19 korriku i këtij viti. Te kjo njësi prodhuese me kapacitet rreth 200 megavatë-orë energji elektrike në gjenerator dhe me fuqi në rrjet diku rreth 150 megavatë-orë, është paraparë të bëhet remonti kapital, ai i përgjithshmi dhe që është më i detajuar dhe më kompleks.
Me remontin kapital të një blloku të termocentraleve nënkuptohet remonti dhe rehabilitimi i turbinës dhe i kazanit, si dhe i shumë stabilimenteve të tjera. Si i tiilë, parashihet të zgjasë goxha kohë më shumë se sa remontet e planifikuara të rëndomta vjetore. Në fakt, te blloku A5, në bazë të planifikimeve të MWhershme që bëhen në KEK për mirëmbajtjen e stabilimenteve dhe për rehabilitimin e tyre, ishte paraparë të bëhet remonti kapital që në muajt e verës të vitit 2021. Mirëpo, meqenëse më 2021, Qeveria aktuale kishte shpërfaqur edhe publikisht synimin për t’i rindërtuar tërësisht tri blloqet e termocentraleve “Kosova A” (bllokun A3, A4 dhe A5), pas analizave të ekipeve profesioniste të KEK-ut dhe sugjerimeve të ekspertëve, që meqenëse është paraparë si vizion rindërtimi i Kosovës A, pra edhe i bllokut A5, ishte vendosur me qëllim të racionalizimit të mjeteve financiare, që A5-shi të presë rindërtimin. Ishte rezonuar atëbotë në qarqet profesioniste dhe vendimmarrëse të KEK-ut se pse të shpenzohen para jo të pakta për remont kapital të A5-shit, kur Qeveria ka parashikuar rindërtimin e tërësishëm të këtij blloku. Thjesht, pse të shpenzohen dy herë para të mëdha për një qëllim. Dhe, meqenëse parashikimi i Qeverisë për të rindërtuar Kosovën A, më 2021 thuaja se “ra në ujë”, edhe rindërtimi i A5-shit si vizion thuajse u zbehë tërësisht, madje edhe u harrua si parashikim.
Në këtë mënyrë, në KEK kushtimisht iu rikthyen nevojës së domosdoshme për ta bërë remontin kapital në këtë njësi prodhuese. Aq më parë, kur në këtë bllok dëgjohej një zhurmë jo e rëndomtë dhe që shqetësonte ekspertët dhe inxhinierët e KEK-ut. Por, punët për këtë remont, u prolonguan për vitin vijues, pra për 2022-shin, për çka në KEK tani kishin shpallur tender publik për të gjetur punëkryesin më të favorshëm.
Por pse po vonohet nisja e punëve për remontin e këtij blloku në këtë vit, kur Kosovës po i nevojitet tepër shumë sasia e energjisë elektrike dhe kur dihet se ky bllok është tërhequr nga prodhimi që më 19 korrik?
Më konkretisht, pse nuk kanë filluar akoma punët për revitalizimin kapital të A5-shit, ndonëse ndodhemi në prag të nëntorit dhe muajve të ftohtë vijues? Pse këto vonesa, aq më parë kur dihet se puna me përmasa kaq komplekse të remontit kapital merr goxha kohë derisa të përmbyllet, përkatësisht për rivitalizimin kapital të një blloku nevojiten rëndom 3 deri në 4 muaj kohë!
Inxhinierët në KEK, edhe ata me përvojë më të paktë, por edhe veteranët tashmë, kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik shkaqet, sipas tyre, reale, për vonesat e nisjes së punëve për rivitalizimin e A5-shit. Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti.
Edhe ftesa e korrigjuar publike për remontin e A5-shit, nuk po tërheq punëkryesit
“Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të Bllokut A5”, titullohej tenderi, ku ishin paraparë në një vend riparimi i turbinës dhe kalldajës (kazanit). Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-shit, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro.
Njohësit e zhvillimeve energjetike, mendojnë se mbase fakti që në ftesën publike janë kërkuar punëkryes që do të bënin remontin e tërësishëm të këtij blloku, pra edhe remontin e turbinës, edhe të kalldajës dhe të stabilimenteve të tjera më pak komplekse, ka ndikuar në mosinteresimin e punëkryesve për të shfaqur interesim për t’u angazhuar në këtë remont.
Dihet, remonti kapital në stabilimentet e termocentraleve të Kosovës, si në Kosovën A, ashtu edhe në Kosovën B, iu është besuar deri më tash ekskluzivisht kompanive të jashtme, më së shumti atyre polake që kanë përvojë të madhe në stabilimentet prodhuese të rrymës në bazë të qymyrit, por edhe kompanive të tjera të shumta nga bota, që kanë reputacion, dëshmi dhe besueshmëri që punën e bëjnë siç duhet.
Në këtë mënyrë, KEK-u në njëfarë mënyre edhe i kushtëzuar, më 8 korrik 2022, ka njoftuar për anulimin e këtij tenderi, thjesht për shkakun se siç është thënë “për riparimin e njësisë A5 nuk është pranuar asnjë ofertë”. Dhe, për të shpejtuar gjetjen e një punëkryesi të besueshëm dhe të dëshmuar për remontin e detajuar të A5-shit, në shtator KEK-u ka ndarë punët, për remontin e turbinës kishte vendosur të kërkojë punëkryes të veçantë, ndërsa për remontin e kalldajës, punëkryes tjetër të specializuar. Dhe, për remontin e turbinës dhe kalldajës veç e veç ka dërguar nga 5-6 ftesa te punëkryesit me reputacion, të njohur tashmë për këto punë anembanë Eurpës dhe më larg.
Kohë të gjatë u pritën ofertat e tyre, dhe inxhinierët e KEK-ut shpresuan se më në fund do të vendosej se kujt do t’i besohet remonti kapital në turbinë dhe kujt në kalldajën e bllokut A5. Mirëpo, siç deklaroi këto ditë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, disa kompani i kanë dorëzuar ofertat, por sipas tij “ janë të papërgjegjshme dhe joserioze”.
“Ka 2-3 muaj që po kemi telashe me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5-shin. Nuk ka. Tash kanë ardhë disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme”, ka deklaruar Bislimi.
Ndërkohë, subjektet politike opozitare, kanë akuzuar KEK-un dhe Qeverinë aktuale për prolongimin e nisjes së punëve të remonit kapital në njësinë A5 të termocentraleve “Kosova A”. LDK-ja madje kohë më parë, përmes komunikatave të shpërndara për medie i kërkon prokurorisë, të nisë hetimet, siç thuhet në komunikatë, “mbi procesin e vonuar tenderues; dhe ndërhyrjet eventuale në terma të referencës – që përfundimisht kanë shkaktuar vonesat e riparimit me kohë”.
Sipas LDK-së, blloku A5 i Termocentralit Kosova A, me kapacitet 130 megavatë për orë, ishte paraparë të bënte remontin kapital para qershorit të vitit 2022. Ndonëse ndodhemi në prag të shtatorit dhe muajve të ftohtë vijues, remonti kapital – që rëndom merr katër muaj kohë për përfundim – as nuk ka nisur e as nuk është procesuar për kontraktim.
Sipas këtij subjekti politik, “ndërhyrjet e pazakonta në tenderim të këtij remonti, kanë bërë që procesi të dështojë me kohë. Në kohën kur çmimi i një megavati energji arrin në mbi 600 euro për orë, Kosova humbet dhjetëra miliona euro, duke mos prodhuar plot 130 MWh energji elektrike për çdo orë. Dhe me kohën e nevojshme, pra katër mujore – për remont kapital, Kosova do të futet në dimër me 130 MWh energji elektrike më pak”.
Kjo papërgjegjësi menaxhuese, sipas LDK-së, “ndonëse me paralajmërim për krizë me kohë, duhet të marrë përgjegjësinë e merituar, nga shkarkimi i Bordit të Qeverisë në KEK e deri tek përgjegjësia institucionale në Qeverinë e Kosovës”. LDK i kërkon po ashtu edhe prokurorisë të nisë hetimet mbi procesin e vonuar tenderues dhe ndërhyrjet eventuale në terma të referencës – që përfundimisht kanë shkaktuar vonesat e riparimit me kohë.
Ndërsa, një inxhinier me shumë vjetë të kaluara në termocentralet e Kosovës, thotë për Buletinin Ekonomik se tani ekipit menaxherial të KEK-ut sikur po u mungon guximi, iniciativat dhe kurajoja për t’ia nisur vet punëve remontuese.
“Ne, dikur, vet, me forcat tona kemi bërë remontet, edhe ato kapitale. Ia kemi nisur punëve dhe vetëm në ndonjë rast kur nuk ia kemi dalur kemi ftuar ekipe nga jashtë. Ndërsa, tani gjithçka presin nga ekipe të huaja. Vet asnjë punë remontuese, thuaja nuk e bëjnë’, thotë ai.
Sipas tij, fare lehtë ka mundur deri tash të hapet kalldaja dhe turbina dhe së paku të konstatohet se për çfarë prishjeje është fjala. Në KEK, sipas tij, akoma nuk e kanë të qartë se çfarë defekti ka A5-shi dhe ku duhet të evitohet prishja. Nuk dihet pse ndodhi zhurmimi në këtë stabilitet. Sidoqoftë, në ditët në vijim do të duhej të dihet më saktësisht kur dhe kush do të nisë punët rreth remontit kapital në bllokun A5. Sa më shpejtë që të bëhet riparimi i kësaj njësie prodhimi do të kishim 140-150 megavatë-orë plus që do t’i shtoheshin konsumit të rritur kosovar, do të ishin një ndihmesë e madhe, si për shtetin, që do të kursente goxha para për importin e kushtëzuar të rrymës, por edhe për konsumatorët, që domosdo do të kishin më pak reduktime dhe më shumë siguri rreth furnizimit me energji elektrike. /Buletini Ekonomik/