Kryeauditorja përmend në Kuvend pagesat për serbët pa shkuar në punë: Janë paguar 900 mijë euro për 199 punëtorë

Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca ka përmendur edhe para deputetëve pagesat për serbët, pa shkuar fare në punë.

Spanca në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, derisa ka paraqitur konkluzionet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2021, deklaroi se janë kryer pagesa mbi 900 mijë euro për punonjësit e komunitetit serb.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej mbi 900 mijë euro për 199 punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit, pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë. Në këtë raport për vitin 2021, po ashtu kemi dhënë konkluzione të pajtueshmërisë të përmbledhur nga auditimi i 90 organizatave buxhetore”, tha Spanca.

Reklama e sponzorizuar

Para deputetëve, ajo ka thënë se konkluzionet janë se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare.

“Për raportin financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës kemi dhënë opinion i modifikuar, përkatësisht opinion i klasifikuar. Shpenzimet prej 13 milionë euro janë klasifikuar në kategorinë joadekuate, prej të cilave janë keqklasifikuar 9.3 milionë euro, pastaj për shkak të vendimeve gjyqësore janë afër 2 milionë euro, ndërsa si të ndikuara nga vet organizatat buxhetore vlera e keqklasifikimeve ishte rreth 2 milionë euro”, theksoi ajo.

Spanca shtoi se janë nxjerrë 132 raporte individuale të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe atyre të performancës.

“Ky raport është rezultat i auditimit të raportit financiar të Qeverisë për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021 dhe 132 raporteve individuale të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe atyre të performancës. Konkluzioni i përgjithshëm është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare të tyre, po ashtu edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaftë të përhapura dhe domëthënëse që kërkojnë masa rigoroze për përmirësim”, shtoi Spanca.

Sipas kryeauditorës, në auditimin e 90 organizatave buxhetore janë dhënë 46 opinione të pamodifikuara për pasqyrat financiare.

“Janë nxjerrë 90 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë të organizatave buxhetore, 12 raporte të auditimit të ndërmarrjeve publike, 13 raporte të auditimit të projekteve të donatorëve, 3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë, të cilat dy raporte janë informata të klasifikuara dhe 14 raporte të auditimit të performancës. Në auditimin e 90 organizatave buxhetore kemi dhënë 46 opinione të pamodifikuara për pasqyrat financiare dhe 44 definicione të modifikuara. Përderisa për 12 organizatat buxhetore kemi dhënë informata të modifikuara”, përfundoi ajo.

Me 66 vota për janë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Po ashtu, me 63 vota për është miratuar edhe Raporti Vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. /Telegrafi/