Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se qeveria që ai e drejton është duke punuar që të ofrojë për të rinjtë më shumë drejtime profesionale, në mënyrë që të ketë punësim më të madh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë Samitit për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Prishtinë, ka thënë se një nga sfidat që i ka shteti i Kosovës është mungesa e shkathtësive profesionale.
Kurti theksoi se një numër i madh diplomojnë në drejtime akademike, drejtime të cilat sipas tij nuk lidhen me tregun e punës.
Kryeministri i Kosovës tha se janë duke punuar që të ofrojnë profesione akademike, në mënyrë që sipas tij të mos ketë hendek në mes të punës dhe diplomës universitare.
“Po mundohemi të punojmë me gratë dhe të rinjtë. Një nga hendeqet që i kemi ka të bëjë me shkathtësitë. Shumë studentë, në këto dy dekada, që kanë diplomuar në juridik, marrëdhënie ndërkombëtare, por pa u lidhur shumë me tregun e punës”, ka thënë Kurti.
“Po mundohemi ta kalojmë këtë hendek duke e përdorur një sistem të dyfishtë të arsimit që është i ngjashëm në Gjermani dhe Zvicër dhe kemi mësuar vetë nga diaspora jonë. Po mundohemi të ofrojmë profesione joakademike, ashtu që njerëzit të shkojnë në fakultet dhe të arsimohen në aspektin profesional, ashtu që një diplomë të sigurojë punë dhe të mos ketë hendek në mes të punës dhe diplomës”, ka vijuar Kurti.
Kurti paralajmëroi po ashtu se qeveria e tij është duke punuar për futjen e lëndës së kodimit në shkolla fillore dhe të mesme.