Ministria “inekzistente” në Qeverinë Kurti

Ministria e Infrastrukturës, qëkur ka nisur qeverisjen qeveria Kurti 2, praktikisht ka qenë e plogësht fare, e përgjumur dhe thuaja inekzistente. Në tërë këtë periudhë, kjo ministri, por edhe krerët e saj, praktikisht nuk kanë bërë asnjë punë të vetme, asnjë rrugë nuk e kanë nisur, as nuk e kanë përfunduar nga ato të nisurat më herët nga qeveritë e kaluara dhe nuk kanë nisur, as nuk e kanë përmbyllur asnjë projekt tjetër të infrastrukturës me rëndësi për vendin.

Mehmet GJATA  

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, ose siç është më e njohur në publik, Ministria e Infrastrukturës, qëkur ka nisur qeverisjen qeveria Kurti 2 (22 mars 2021), praktikisht ka qenë e plogësht fare, e përgjumur dhe thuaja inekzistente. Në tërë këtë periudhë, kjo ministri, por edhe krerët e saj, praktikisht nuk kanë bërë asnjë punë të vetme, asnjë rrugë nuk e kanë nisur, as nuk e kanë përfunduar nga ato të nisurat më herët nga qeveritë e kaluara dhe nuk kanë nisur, as nuk e kanë përmbyllur asnjë projekt tjetër të infrastrukturës me rëndësi për vendin.

Qëkur në krye të kësaj ministrie është emëruar Liburn Aliu, dhe zëvendës i tij Hysen Durmishi, nuk është bërë as edhe një ndërtim i vetëm i infrastrukturës pra, çfarëdo lloji qoftë, në Kosovë, ndërkohë që të dy këta zyrtarë, që kanë zënë poste kaq të rëndësishme nga VV-ja, në fillim të ushtrimit të funskioneve të tyre kanë premtuar goxha shumë projekte të reja, si magjistralen Prizren-Tetovë, hekurudhën që lidhë Kosovën me Shqipërinë, vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë – Gjilan, në rrugën Prishtinë – Podujevë, në atë Prishtinë- Mitrovicë dhe në autostradën e mbetur në gjysmë Prishtinë – Pejë (nga Kijeva deri në Zahaq). Asnjë gjë, asnjë hap tutje, praktikisht dhe realisht nuk është bërë në asnjërin nga këto projekte.

Reklama e sponzorizuar

Disa rrugë të Kosovës, që janë arterie të rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave), dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me kryeqytetin e republikës, dhe që janë nisur kaherë të modernizohen, të zgjerohen ose të rehabilitohen, pakuptimisht dhe pashpjegueshëm janë lënë pasdore fare punimet e nisura, po vonohet përtej çdo kuptimi rehabilitimi i tyre, po prolongohen afatet dhe në këtë mënyrë qarkullimi po vazhdon të mbetet i vështirësuar dhe jo në pak raste edhe i rrezikshëm.

Tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e zgjerimit të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë dhe në autostradën Prishtinë-Pejë. Në të gjitha këto magjistrale, pos autostradës Prishtinë – Gjilan, tashmë ose është përafruar një dhjetëvjetësh, një dekadë pra, qëkur kanë filluar punimet, ose tashmë është tejkaluar edhe dhjetëvjetshi. Dhe, çuditërisht, për këto prolongime, zvarritje afatesh dhe zhagitje punësh, në ministrinë e Infrastrukturës heshtin, nuk shpjegojnë shkaqet dhe arsyet për këto ngecje evidente, nuk shprehet ndonjë shqetësim, merakosje, ose edhe ndonjë autokritikë rasti. Përkundrazi, me qetësi fare dhe nonshalancë të pakuptueshme deri tash, në këta muaj qëkur Ministria e Infrastrukturës me krerë nga VV-ja, e heshtin këtë problem, sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur kësisoj është parashikuar të ndodhë.

Nuk ka ndonjë përgjigje të pranueshme dhe të përshkruar me ndonjë të dhënë të besueshme në asnjë rast në Ministrinë e Infrastrukturës, as nga ministri aktual i kësaj ministrie, Liburn Aliu, i cili, së paku deri tash, as që e ka parë të nevojshme që të komunikojë me publikun, nëpërmjet medieve pra, rreth këtyre vonesave dhe prolongimeve absurde të afateve të rindërtimit të këtyre magjistraleve kaq të rëndësishme për ecuritë zhvillimore dhe shoqërore në Kosovë.

Së paku, Buletini Ekonomik, në interesimiet e shumta dhe goxha insistuese, asnjëherë në këta muaj, qëkur e udhëheq Ministrinë e Infrastrukturës së Kurtit kjo garniturë zyrtarësh, nuk ka marrë asnjë përgjigje as nga ministri Aliu, apo ndonjë vartës të tij edhe përkundër faktit se shumë herë ka bërë edhe pyetje me shkrim, siç i kanë kërkuar, administrata “e disciplinuar” e këtij dikasteri . Edhe në ndonjë përgjigje të kushtëzuar, si ato për pyetjet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ministri Aliu, asnjëherë nuk tha ndonjë afat të prerë të mundshëm për përfundimin e këtyre punëve, por gjithnjë diskutimin dhe përgjigjet e tija i ka drejtuar në fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet dhe për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këto rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave ku kalojnë rrugët e nisura.

Kurrë njëherë të vetme zyrtarët e Mnistrisë së Infrastrukturës, as ministri Aliu, e zëvendësi i tij, nuk dhanë ndonjë përgjigje të besueshme për shkaqet e vërteta të vonesës së zgjerimit të rrugës Podujevë-Prishtinë, që ka filluar që para 6-7 vjetëve, dhe jo vetëm që nuk kanë përfunduar ende, por as që dihet se kur do të përfundojnë, apo ç’është edhe më keq, a do të përfundojnë ndonjëherë.

Deri tash, brenda këtyre 6-7 vjetësh janë ndërtuar, por jo edhe finalizuar, vetëm diku rreth 10 kilometra të kësaj magjistraleje. Ose, më konkretisht, deri këtyre ditëve të tetorit 2022, kjo magjistrale është zgjeruar nga Podujeva vetëm deri afërsisht në hyje të fshatit Lluzhan. Pjesa tjetër, që është traseja dominuese prej 18 kilometrash, deri në Prishtinë, as që dihet kur do të fillojë së ndërtuari.

Ministri Liburn Aliu, në një nga seancat e mbajtura në fillim të muajit prill në Kuvendin e Kosovës, pati thënë se “për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë, pjesa nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër”.

“Pjesa e mbetur prej Prishtinës deri në Podujevë, pra nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër dhe planifikohet që të ndahet në dy lote, e cila do të bëhet e tëra, ose për arsye financiare të fillohet me lotin e parë, e pastaj me të dytin. Pjesa e hyrjeve duhet të vazhdoj duke i vazhduar edhe shpronësimet ashtu siç janë”, kishte thënë ministri Aliu, pa caktuar ndonjë datë apo afat për këto punë.

Por, nga prilli deri tani në tetor, kanë kaluar mbi 6 muaj dhe asgjë fare nuk është folur më, as sqaruar nga zyrtarët se çka është duke ndodhur me projektin e magjistrales Podujevë- Prishtinë, e bërë tash e sa vjet realisht “rruga e mortit”. Nuk dihen pra, asnjë nga shkaqet për këtë zvarritje të pashembulltë të zgjerimit të kësaj magjistraleje kaq të rëndësishme.

Asnjëherë nuk është thënë konkretisht a ka mjete financiare për finalizimin e këtij projekti, as se cilat janë problemet e tjera reale të cilat e sfidojnë zgjerimin e kësaj rruge.

Pse nuk sqarohet për publikun deri në fund problemi i shpronësimit të tokave përgjatë magjistrales dhe pse po vonohet kompenzimi i mjeteve për pronat e shpronësuara? Fundja, a ka fare buxhet vjetor Ministria e Infrastrukturës, dikur me buxhetin dallueshëm më të madhin ndër ministritë e tjera, për investimet në këtë rrugë dhe në të tjerat, që kanë mbetur njësoj në gjysmë të rrugës.

Tashmë vetëm për një fakt dihet saktësisht rreth magjistrales Podujevë-Prishtinë, dihet pra se dita ditës po shtohen aksidentet tragjike, viktimat e reja të aksidenteve enorme tragjike numerikisht si pasojë e ngulfatjes së kësaj rruge, në shumë pika të saj nga trafiku i dendur dhe nga qarkullimi i madhë i automjeteve dhe udhëtarëve në këtë rajon të vendit.

Megjithëkëtë, ministri Aliu dhe zyrtarët e tij nuk e shohin të udhës të shpjegojnë as për publikun as për mediet se çka është bërë dhe po bëhet me pjesën e mbetur të rrugës Podujevë-Prishtinë, pra nga Lluzhani deri në Prishtinë, sikundër nuk shpjegohet asnjëherë të vetme pse po vonohet sigurimi i mjeteve për të vazhduar punët dhe për të bërë pagesat e shpronësimeve dhe a është kryer projektimi, për të cilin fliste para më shumë se 6 mujash ministri Aliu.

Për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të këtyre udhëve, që janë tashmë jetike për jetën shoqërore dhe ekonomike të Kosovës, jemi mësuar tanimë nga MMPHI-ja që fajin t’ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektet kryesore dhe mospagesave të pronave me kohë, përkatësisht shpronësimeve të deritashme si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këto projekte. Por këto vështirësi, qofshin edhe fakte, kanë qenë të ditura edhe para se të fitojë bindshëm pushtetin koalicioni aktual qeveritar. Besimin dhe gjithë atë numër kolosal votash, i kanë fituar edhe në saje të premtimeve për të qenë efikas dhe rezultativ në finalizimin e projekteve rrugore të reja dhe të atyre të trashëguara nga pushtetet e mëparshme. Prandaj, edhe llapjanët, edhe mitrovicasit e vushtrriasit, edhe pejanët dhe tërë dukagjinasit që jetojnë përgjatë magjistrales Kijevë-Pejë, nuk rreshtin së kërkuari realizimin e premtimeve. Dhe, kanë të drejtë të gjithë këta banorë të Kosovës të kërkojnë finalizimin njëherë e mirë të rrugëve të filluara për mbi 12-13 vjet më herët.

Vonesat e mëtutjeshme të magjistraleve Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë dhe në autostradën Prishtinë-Pejë, por edhe vonesat në përmbylljen e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Gjilan janë të pakuptimta fare, pavarësisht se kush i ka më shumë, ose më pak fajet për këtë kohëzgjatje, zvarritje unikate në rajon dhe përtej. Qeveria aktuale, ka premtuar se do t’i përmbyllë punët e lënë në gjysmë në këto rrugë jetike për vendin. Ka mundur fare lehtë të sigurojë edhe financimin e tyre nga kreditë e buta të institucioneve ndërkombëtare financiare, nëse vërtetë kanë munguar parat. Por, pjesa e domosdoshme e mjeteve financiare të nevojshme për përmbylljen e këtyre rrugëve, po të ekzistonte vullneti, gatishmëria dhe vendosmëria e zyrtarëve dhe autoriteteve aktuale, fare lehtë do të sigurohej edhe nga mjetet buxhetore të vendit, nga fondet e planifikuara për investime kapitale, të cilat siç dihet, kanë mbetur të ngrira dhe nën mëshirën e inflacionit të frikshëm.

Nëse nuk ka pasur paratë e nevojshme Ministria e Infrastrukturës për të zhvilluar punët për finalizimin e punimeve në këto magjistrale, çka do të bëhej që të angazhoheshin 100 milionë, ta zëmë, nga 700 milionë eurot e ngrira dhe të pashfrytëzuara të parave të dedikuara për investime kapitale në Kosovë. Por krerët e ministrisë aktuale të Infrastrukturës, e kanë paraparë me gjasë më të kollajshme prolongimin e mëtejshëm dhe të pafund të këtyre punëve dhe heshtjen e mbylljet hermetike të tyre në raport me informimin për publikun. Por, pse tolerohen krerët dhe autoritetet e tjera të ministrisë së Infrastrukturës të vazhdojnë ta “vërdallosin” pafundësisht një popullsi të tërë, është po kështu e paqartë.

Sidoqoftë mbetet të shihet edhe sa vite do të zgjatë ndërtimi i autoudhës Prishinë – Gjilan, edhe sa do të ketë vonesa shtesë të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të kësaj autostrade dhe deri kur do të vazhdojnë në MMPHI t’ua vënë fajin pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mos pagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këtë projekt.

Pokështu, problemi tjetër i madh, tashmë edhe goxha i koklavitur – është edhe ndërtimi i pjesës së mbetur të magjistrales Prishtinë – Pejë. Para më shumë se një viti, ndërtimi i pjesës së magjistrales nga Kijeva deri në Zahaç të Pejës, fare në hyrje të Pejës, që më herët diskutohej nga zyrtarët thuaja si një projekt i realizuar ka mbetur nën mëshirën e fatit, ose të tekave të zyrtarëve të ministrisë së Infrastrukturës. Siç dihet, për këtë projekt ishin siguruar mjetet e nevojshme nga BERZH-i, ishte caktuar traseja e re dhe vetëm prisnin që të fillojnë punët. Por, tani për këtë projekt, zyrtarët aktual kompetentë, deklarohen thuaja se projekti “është i parealizueshëm”.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë një diskutimi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se projekti aktual i magjistrales Prishtinë-Pejë ka probleme të mëdha në shpronësime, duke shtuar madje se “janë në diskutim për rishikim të projektit”.

“Për magjistralen për Pejë, siç e dini projekti aktual me BERZH-in, ka pasur probleme të mëdha në shpronësime dhe me shumëfishim të çmimit. Jemi në rishikim të projektit dhe do të fillojmë me projektin e ri, i cili do të ketë trase tjetër. Ose do të ketë zgjerim të rrugës ekzistuese ose do të jetë trase tjetër, më e mundshmja është se do të janë te dyja”, pati thënë Aliu.

Dhe, akoma nuk është saktësuar ndonjë datë, as afat se kur do të bëhen këto punë rreth projekteve të reja, nëse do të ndodhin ato.

Mbetet të shihet dhe eventualisht të dëgjohet se çka do të thuhet tash e tutje edhe për 13 vjet punime në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, dhe a do dihet ndonjëherë kur do të finalizohet kjo arterje rrugore, e rëndësishme po aq sa ato të sipërpërmendurat, madje jetike për banorët e Vushtrrisë, Mitrovicës dhe përtej këtyre komunave.

Siç dihet, qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas rreth 13 vjetëve, punimet rreth zgjerimit të kësaj magjistraleje, jo vetëm që nuk janë finalizuar, por askush as nga zyrtarët e pushtetit qëndror, as nga Ministria e Infrastrukturës nuk përcaktojnë fare ndonjë afat përfundimtar për ndërtimin e kësaj rruge. Ndërkohë, qytetarët, nga komuna e Mitrovicës dhe nga ajo e Vushtrrisë, frekuentuesit e rregullt të kësaj rruge, të mllefosur, të irrituar dhe të shqetësuar, gjuajnë “gurë e dru” në drejtim të autoriteteve zyrtare për neglizhencën e pakuptueshme, sipas tyre. Dhe tashmë nuk kanë më kuptim zërat e përsëritur të zyrtarëve të ministrisë së Infrastrukturës dhe krerëve të këtij dikasteri, për fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këtë rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave ku kalojnë rrugët e nisura. Nuk është se nuk kanë përgjegjësi për vonesat e ndërtimit të këtyre magjistraleve qeveritë e kaluara dhe minsitrat e kaluar të infrastrukturës, por doemos kjo qeveri, dhe ministri aktual i saj Aliu, duhet ta marrin njëherë e mirë përgjegjësinë për përfundimin e këtyre arterieve jetike për popullsinë që gravitojnë përgjatë magjistraleve të akceptuara këtu, por edhe për shumë të panjohura rreth vazhdimit të punimeve në këto projekte të vlefshme për vendin.

Fundja, të punojnë diçka, të lënë një gjurmë të vetme të punëve, të cilat i kanë për obligim dhe detyrë t’i realizojnë dhe për çka janë të emëruar, janë përgjegjës dhe për çka paguhen, jo edhe aq keq, nga taksat e kosovarëve, ku shumica e tyre janë të varfër. /Buletini Ekonomik/