Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka dalë kundër projektligjit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje pë caktimin e çmimit tavan për produktet esenciale në tregjet e Kosovës.
Ferat Shala, deputet nga kjo parti, ka thënë se PDK-ja nuk e mbështet Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore, në formën siç është paraqitur.
Sipas pikëpamjeve të PDK-së, ky Projektligj është i dëmshëm për ekonominë, konsumatorët dhe operatorët.
“Projektligji nuk parasheh asnjë mundësi të ndonjë akti tjetër nënligjor. Ideja është dhe duhet të zhvillohet në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve, por kjo që është e shkruar nuk pasqyron atë që u tha. Me këtë situatë dhe me këtë draft ligj, PDK-ja nuk mund ta mbështesë kështu. Ne nuk mund ta mbështesim një Projektligj që është edhe keq i shkruar dhe i dëmshëm për ekonominë konsumatorët e operatorët”, është shprehur Shala sot në seancën e Kuvendit të Kosovë, ku po diskutohet për çmimet tavan në produktet esenciale.