Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në masat e ndërmarra, dhe ato që do të ndërmerren nga ana e BE-së, në mënyrë që të përfitojnë nga ato për përballje me krizën energjetike.
Këtë kërkesë Rizavanolli e ka bërë gjatë takimit informal të ministrave të Energjisë së Evropës të organizuar nga Presidenca e Republikës Çeke.
Gjatë këtij takimi janë diskutuar masa për përballje me krizën energjetike evropiane, përfshirë këtu: reduktimi i kërkesës për energji elektrike, kufiri i të hyrave për prodhuesit e energjisë elektrike, si dhe sigurimi i një kontributi solidar nga bizneset e lëndëve djegëse fosile, thuhet në njoftim e ME.
Ministrja, sipas të njëjtit njoftim, ka kërkuar gjithashtu hartimin e mekanizmave që garantojnë shpërndarje të të ardhurave nga kufiri i të hyrave për prodhuesit e energjisë elektrike edhe tek shtetet të cilat nuk janë pjesë e BE-së, por që varen nga importi i energjisë elektrike, siç është Kosova.
Ministrja Rizvanolli po ashtu ka kërkuar “ hartimin e një pakoje financiare nga ana e BE-së për zgjerim e rritje të ndikimit të masave që Republika e Kosovës është duke ndërmarrë për t’u përballur me krizën energjetike, përmes rritjes së efiçiencës, uljes së konsumit, si dhe mbrojtjes së konsumatorëve të cenueshëm”.