Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin, ku do zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u miratua edhe themelimi i muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në konferencën për medie, pas mbledhjes së ekzekutivit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se pas miratimit në dy leximet në Kuvend do t’i hapet rruga edhe ngërçit në Kuvend.
Kujtojmë se ditë më parë kryetarët e komunave i kanë paraqitur shtatë kërkesa Qeverisë.
Si kërkesa urgjente drejtuar qeverisë ata kishin paraqitur:
Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.
Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.
Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.
Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.
Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.
Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat.