Rukiqi: Recesioni ekonomik te dera, indiferenca jonë është e frikshme

Berat Rukiqi- kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka thënë se rritja ekonomike vetëm 2.7 për qind nga projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është në nivelin më të ulët.

Sipas Rukiqit, recesioni ekonomik është afër dhe indiferenca jonë karshi këtyre zhvillimeve është e frikshme.

“Rritje ekonomike, vetëm 2.7 për qind, rekord i ulët, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky nuk është lajmi me i keq. Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane, Komisioni Evropian, po parashikojnë që viti 2023, mund të jetë edhe më i rëndë, për ekonominë globale”, shkruan Rukiqi në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

“Recesioni ekonomik global është te dera. Ne nuk do të jemi imun. Indiferenca jonë, karshi këtyre zhvillimeve është e frikshme. Qindra miliona euro, investime kapitale, të parealizuara. Ende asnjë plan e asnjë investim serioz në sektorin e energjisë. Lista është e gjatë, e hapësira e manovrimit shumë e ngushtë”, përfundon ai.

Ashtu si Banka Qendrore e Kosovës (BQK), BB edhe FMN parashikojnë se që ekonomia e vendit tonë për vitin 2022 nuk do të jetë më e lartë se 3 për qind.

FMN në raportin “Perspektiva Ekonomike Botërore: Luftimi i krizës së kostos së jetesës” thekson se për vitin 2021 rritja ekonomike ishte 9.5 për qind, kurse për vitin e ardhshëm nuk do të jetë më shumë se 3.5 për qind.