Si të kursejnë qytetarët e Kosovës, që alternativë të vetme për ngrohje e kanë rrymën?

Fotografi ilustruese

Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka ngritur shqetësime tek qytetarët, sidomos në sezonin e vjeshtës kur temperaturat kanë filluar të bien dhe po shfaqet nevoja për ngrohje brenda ambienteve për banim.

Andaj, shumëkush po e konsideron kthimin te alternativa e vjetër – ngrohja me djegien e drunjve, por edhe kjo është e kushtueshme, sidomos tani që një metër dru kushton 75 euro në kryeqytet.

Ngrohja me thëngjill duket si opsioni më i lirë, duke e pasur parasysh se Kosova është e pasur me këtë mineral, edhe pse djegia e tij është e dëmshme për ambientin. Por kur i ftohti të arrijë, ruajtja e ambientit nuk do të jetë një prej shqetësimeve primare.

Reklama e sponzorizuar

Sidoqoftë, për një numër të madh qytetarësh që banojnë në ndërtesa dhe që nuk janë të lidhur me Termokos-in, si alternativë e vetme për ngrohje iu mbetet rryma – sado e kushtueshme që është.

Duke e vërejtur këtë, më 14 shtator qeveria ka marrë vendim për masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike.

“Përderisa fokusi ynë është përmirësimi i kapaciteteve gjeneruese vendore për të garantuar siguri energjetike, ulja e konsumit të energjisë në vend është kritike për të përballuar sa më lehtë krizën gjatë muajve të dimrit”, shkruan në njoftimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit.

Janë mbi 20 masa të cilat janë të detyrueshme për sektorin publik, institucionet publike qendrore dhe lokale, si dhe për ndërmarrjet publike.

Me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe me temperaturat që kanë filluar të bien në fillim të vjeshtës, duket se do të jetë një dimër i ftohtë për Kosovën.