Ministria ukrainase e Energjetikës ka njoftuar sot se do të ndalë eksportin e energjisë elektrike, pas sulmit masiv ajror të ushtrisë ruse mbi infrastrukturën energjetike.
“Sulmet e sotme me raketa, të cilat goditën termocentralet dhe infrastrukturën tjetër për furnizimin me energji elektrike, e detyruan Ukrainën të pezullojë eksportin e energjisë elektrike nga nesër, në mënyrë që të stabilizojë sistemin e saj energjetik”, thuhet në njoftimin e ministrisë ukrainase, transmeton Telegrafi.
Ministri ukrainas i Energjetikës, Herman Halushenko, ka thënë se sulmi i sotëm mbi sistemin energjetik ka qenë “më i madhi që nga fillimi i luftës në Ukrainë”.
Gjatë një interviste dhënë në televizion, ai tha se sulmet ruse në “tërë rrjetin e energjetikës”, ka bërë që të mos munden ta eksportojnë energjinë elektrike, që sipas tij një gjë e tillë në një të ardhme të afërt është i pamundur.
Kujtojmë që ushtria ruse në orët e para të mëngjesit të sotëm filloi sulmet ajrore mbi qytetet ukrainase, e në veçanti mbi kryeqytetin e vendit.