Prodhimi i dy njësive të termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2) dhe dy blloqe të Kosovës A (A3 dhe A4), të cilat bashkarisht prodhojnë diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike, plus një sasi e vogël nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës), nuk i plotësojnë nevojat e shtuara të konsumit të vendit, që sot ka shkuar edhe në 950 megavatë-orë. Prandaj, detyrimisht Kosova vazhdon të importojë rreth 100 megavatë-orë.
Buletini Ekonomik
Ka ditë që në njëfarë mënyre është standardizuar pak a shumë situata elektroenergjetike në Kosovë. Më saktësisht, qëkur në prodhim gjenden që të katër njësitë e termocentraleve të Kosovës (dy blloqet e Kosova B, B1 e B2, dhe dy të Kosovës A, A3 dhe A4), ose që nga dita kur kishte përfunduar me sukses revizioni i njësisë B2 dhe kur është kthyer në proces të prodhimit kjo njësi e Kosova B, sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, sistemi elektroenergjetik i Kosovës që nga java e parë e nëntorit ka në dospozicion gjithsej diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike, plus një sasi të vogël nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme.
Aktualisht, në prodhim gjenden B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e tyre është 520 megavatë, ose secili bllok, pra kapacitetin në rrjet 260 megavat-orë. Po kështu në prodhim janë edhe A3-shi dhe A4-shi i termocentraleve Kosova A, të cilët kanë kapacitetin në rrjet secili rreth 130 megavatë-orë.
Po të llogaritet gjithsej prodhimi aktual në këto katër njësi të prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e vendit që janë funksionale, del që B1, B2 dhe A3 e A4 po prodhojnë bashkarisht diku rreth 780 megavatë-orë rrymë. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar plus një sasi simbolike, diku rreth 50-60 megavatë-orë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
Në raste, ose kur në zonat ku janë të instaluara impiantet e prodhimit të energjisë me erë (në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës), frynë më shumë erë, shtohen përditë e më shumë megavatë prodhimi nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme. Mirëpo, kjo sasi e prodhimit nga kapacitetet vendore të prodhimit të rrymës, nuk i përmbushë plotësisht nevojat e shtuara të konsumit të Kosovës.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, aktualisht (edhe sot gjatë tërë ditës) konsumi i Kosovës, për shkak të zbritjes së temperaturave, është diku rreth 900-950 megavatë-orë. Kjo sasi e shpenzimit të rrymës në Kosovë ka ditë që është e përafërt dhe pa ndryshime më të mëdha, prandaj mund të konstatohet se qëkur ka nisur ftohja pak më e ndjeshme e motit, është rritur sasia e rrymës që shpenzon Kosova, krahasuar me periudhën e verës dhe fillimit të vjeshtës dhe ky konsum goxha i rritur po vazhdon të mbetet edhe këtyre ditëve.
Në këtë mënyrë, siç tregojnë shifrat e prodhimit dhe të konsumit, edhe këtyre ditëve del të jetë konsumi goxha më i madh se prodhimi vendor. Dhe, megjithë faktin se në prodhim gjenden të gjitha kapacitetet që janë në gatishmëri për të prodhuar, Kosova vazhdon të importojë një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, edhe sot janë importuar mesatarisht diku rreth 100 megavatë-orë. Duhet thënë se çmimi i energjisë së importuar ende nuk është as përafërsisht siç ishte në ditët e zeza të krizës së madhe energjetike. Është ndjeshëm më i ulët. Por, për Kosovën e varfër, çdo megavatë-orë i importuar është i shtrenjtë.
Duhet thënë se nëse vazhdon të rritet më shumë konsumi, siç pritet realisht të ndodhë me ardhjen e ditëve të acarta dhe të dimrit të vërtetë, do të ketë mungesë shumë më të madhe të rrymës. Për shpërputhjen evidente dhe të madhe të prodhimit dhe konsumit që pritet të ndodhë në ditët me temeraturë të ulët, vazhdojnë të alarmojnë edhe autoritetet e Kosovës.
Artane Rizvanolli, këto ditë për të satën here, për medien e Kosovës ka thënë se dimri është ende i paparashikueshëm, dhe se duhet të jemi të përgatitur për më të keqen. Ajo në vazhdimësi po u bënë apel konsumatorëve të kursejnë sa më shumë dhe gjithkund ku mund të kursehet rryma, të ulet konsumi i rrymës dhe prodhimin nga kapacitetet e vendit ta bëjmë sa më stabil.
“Synojmë që përmes masave të ndryshme që nxisin kursimin e energjisë, të nxisim qytetarët dhe të shpërblejmë ata që kursejnë energji. Dhe siç e kemi thënë edhe më herët, një prej faktorëve kryesorë në afat të shkurtër që mund të bëhet, është nga njëra anë të ulet konsumi i energjisë, dhe nga ana tjetër të sigurohemi që prodhimi nga burimet tona, veçanërisht nga KEK-u, të jetë stabil”, tha së fundmi edhe një herë ministrja Rizvanolli.
Sipas saj, mesatarisht konsumi i rrymës në Kosovë në nëntë muajt e parë të këtij viti, kishte shënuar ulje prej 6.4 për qind. Sidoqoftë, kosovarët nuk kanë shumë alternativa në mungesë të rrymës së vet dhe nevojave për energji elektrike që pritet të shtohen gjatë dhjetorit dhe janarit. Prandaj, kursimi i rrymës dhe ulja e shpenzimit janë kushtimisht të domosdoshme dhe alternativat që na presin sa i përket sigurimit të energjisë elektrike të munguar. Kosova nuk ka zgjidhje tjetër në ditët e akullta, pos reduktimeve të kushtëzuara, kursimit të domosdoshëm të gjithsecilit konsumatorë, ose importit me kosto të lartë dhe thuaja të papërballueshëm për Kosovën e varfër dhe me mungesë parash. /Buletini Ekonomik/