Fitorja në Arbitrazh ndaj “IuteCredit”, Mehmeti: Norma të interesit jashtë çdo standardi, s’do të lejojmë veprime në kurriz të qytetarëve

Fehmi Mehmeti- Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti sot në një konferencë për media ka mirëpritur vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit në lidhje me rastin ndaj “IuteCredit”.

“Kam kënaqësinë të ndaj një lajm shumë të mirë për Kosovën, në veçanti për Bankën Qendrore…sikurse jeni në dijeni Republika e Kosovës ka fituar arbitrazhin ndërkombëtare ndaj institucionit mikrofinanicar  IuteCredit”, tha ai, raporton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, BQK synon të ofrojë kushte sa më të mirë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar  vetëm të institucioneve të cilat kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e sistemin financiar.

Ai tha se IuteCredit vazhdimisht ka devijuar nga plani i biznesit në bazë të të cilit kishte marr licencën, duke sjell diçka tjetër prej asaj që kishte premtuar.

Mehmeti më tej tha se normat e interesit që aplikonte ky institucion ishte jashtë çdo standardi.

“IuteCredit kishte iniciuar padi pranë Arbitrazhit ndërkombëtar për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore të Kosovës. Banka Qendrore falënderon Qeverinë e Kosovës për inicimin e ndarjes së mjeteve monetare për mbrojtje të Republikës së Kosovës pranë Arbitrazhit”, tha Mehmeti, duke falënderuar po ashtu Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e shtetit, etj.

Guvernatori i BQK më tej tha se si rrjedhojë e angazhimit dhe procesit profesional të BQK-së është arritur që ky proces që të ketë epilog 100 për qind në favor të vendit.

“Po aq e rëndësishme sa edhe rezultati është edhe fakti se kostoja në këtë proces do të bartet nga pala paditëse, pra nga IuteCredit”, tha ai.

“Nuk do të lejojmë asnjëherë operimin e atyre institucione që nuk zbatojnë kërkesat rregullative në vend dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare që mund të gjenden një pjesë e qytetarëve tanë…”, tha ai.