Bankat në Kosovë nuk e kanë pritur mirë një ide që po diskutohet nga anëtarët e Bordit të BQK-së për të ofruar mundësinë për llogari falas për klientët bankar në Kosovë.
Buletini Ekonomik
Disa javë më parë, është mësuar se Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës pritej të hartonte një rregullore përmes së cilës do t’i obligonte bankat në Kosovë që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankar.
Por, që tani këtë ide të BQK-së po e kundërshtojnë bankat komerciale në vend, pasi të njëjtat kanë kundërshtuar propozimin e BQK-së për tarifën prej 50 centëve, të cilën do ta paguante vet shteti, dhe duke kërkuar që minimumi i tarifës të bëhet 1 euro.
“Bankat kanë qenë kundër që të shkojë përpara kjo ide e Bordit për llogari falas për klientët bankar. Bordi i BQK-së ka ofruar si mundësi që 50 cent të jetë tarifa dhe të paguhet nga shteti, por bankat kanë kërkuar që ky minimum të jetë 1 euro”, i kanë thënë Buletinit Ekonomik burime të afërta me këtë proces.
Ndryshe, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, e kanë të rregulluar këtë çështje.
Ta zëmë Shqipëria e ka të rregulluar me ligj këtë çështje. Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese. /Buletini Ekonomik/