Rritja e normave të interesit për kreditë bankare, që ishte paralajmëruar nga Banka Qendrore e Kosovës muaj më parë, tashmë ka ndodhur. Në muajin shtator, mesatarja e normës së intertesit në kredi ka arritur në 6.3 për qind, derisa vetëm një muaj më herët, pra në gusht, ishte 6.0 për qind.
Kjo konfirmohet në raportin mujor të Bankës Qendrore të Kosovës për muajin shtator.
Rritjen më e madhe e normës së interesit u vërejt tek kreditë konsumuese me 6.4 për qind. Në muajin gusht, ishte 6.3 për qind.
Një parashikim për rritjen e normave të interesit në sektorin bankar e kishte bërë BQK-ja duke u mbështetur në vendimet e Bankës Qendrore Europiane.
“…kostot e mbajtjes së likuiditetit do të sfidohen me rritjen e normave të interesit në nivel global të cilat transmetohen direkt përmes financimit nga bankat amë. Politikat monetare të disa bankave qendrore veçse janë kundërpërgjigjur rritjes së inflacionit përmes rritjes së normave bazë të interesit. BQE ka hezituar të ndërhyjë dhe ndryshoj politikën monetare në gjysmën e parë të vitit 2022, kryesisht si pasojë e ndikimit që pritet të ketë rritja e kostos së financimit në disa nga ekonomitë e BE-së (recesionit potencial) dhe dobësimit të mëtejmë të euros”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të BQK-së.
Banka Qendrore ka thënë se kriza pandemike rriti fillimisht pasigurinë e aktorëve në sistemin financiar për presion të mundshëm në menaxhimin e likuiditetit. Mirëpo, sipas BQK-së rritja e preferencave për kursime kundrejt shpenzimeve, por edhe e mundësive të reduktuara dhe pasigurive për të shpenzuar në kohë të krizës, ndikoi që bilanci i financimit të bankave të jetë në favor të pozitës së likuiditetit, pozitë që u trashëgua edhe në vitin 2021.
“Megjithatë, rritja persistente e inflacionit në nivele të papara në dekadën e fundit ka ndikuar që BQE të sinjalizoj për vendimin potencial të rritjes së normave të interesit në mbledhjen e këshillit në korrik 2022. Ndryshimet në normat e interesit në BQE do të afektojnë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend. Për më tepër, përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”.
Banka Qendrore Europiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, ka vendosur t’i rrisë normat e interesit, në përpjekjeje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.
Siç ka bërë të ditur ky institucion më 21 korrik, aktualisht janë rritur normat bazë të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind, ndërsa planifikohen edhe rritje të tjera gjatë vitit.
Sipas Bankës Qendrore Europiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme. /Buletini Ekonomik/