Brenda muajit pritet të ekzekutohen shtesat për grupin e parë prej 100 eurove për studentët

Euro

Shpërndarja e shtesave prej 100 eurove për studentëve që kanë aplikuar në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, pritet të ndodhë brenda nëntorit.

Edhe pse nuk është bërë e ditur se sa është numri i atyre që kanë aplikuar për këtë masë, Qeveria e Kosovës ka thënë se shtesat për grupin e parë për studentët pritet të ndahen gjatë këtij muaji.

“Tashmë kemi themeluar Komisioni Zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Ky Komision është në komunikim të rregullt me universitetet për konfirmimin e listave. Varësisht nga konfirmimet, po synojmë që brenda muajit të ekzekutojmë shtesat për grupin e parë e studentëve aplikues”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Telegrafin.

Reklama e sponzorizuar

Aplikimi për studentët ka qenë i hapur 20 tetori deri më 6 nëntor, në platformën e-Kosova, përderisa të drejtë për të aplikuar kanë pasur të gjithë studentët që vijojnë studimet në universitetet dhe kolegjet e akredituara në vend.

Kujtojmë se deri më tani shtesat prej 100 eurove janë ndarë për pensionistët, kategoritë sociale dhe punëtorët e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor me nga 50 euro.

Qeveria me Pakon e fundit ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme.