Udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gabriel Di Bella, me rastin e qëndrimit të tij në Kosovë këto ditë, sot ka mbajtur një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin.
Gjatë fjalës së tij në këtë konfernecë, Di Bella foli për rritjen ekonomike të vendit tonë, dhe për shkallën e inflacionit që ka rënduar qytetarët e Kosovës përgjatë këtij viti.
Në parashikimet e FMN-së, Di Bella konfirmoi se mendimet reale deri në fundvit, janë për një rritje ekonomike prej 2 deri në 3 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm ai tha se parashihet që rritja ekonomike të shkojë deri në 4 përqind, përcjell Buletini Ekonomik.
“Për të qenë real, ne parashikojmë një rritje prej 2-3 për qind deri në fund të vitit”, u shpreh Di Bella para mediave.
Megjithatë, përkundër këtij parashikimi, ai tha se mund edhe të ketë përjashtime në këtë rast, në qoftë se do të ketë rritje të implementimit të investimeve Brenda këtyre dy muajve, edhe pse mbetet të shihet në vazhdim realizimi i saj.
“Mund të ketë një rritje të implementimit të investimeve që mund ta rrisin këtë përqindje, por duhet të presim deri në fund të vitit për të parë këtë rritje. Për këtë vit është 2-3 për qind, ndërsa në vitin e ardhshëm 3-4”, vazhdoi Di Bella.
Tutje ai permendi edhe rritjen e nivelit të inflacionit, që sipas tij ka pasur ndikim patjetër lufta në Ukrainë.
“Nuk është befasi që lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të vështirë për Evropën dhe Kosova nuk bën përjashtim nga kjo dhe si pasojë e luftës janë rritur çmimet, dhe prandaj ka bërë që Kosova të ketë inflacion të lartë. Tani për t’i zbutur këto tronditje, dhe Qeveria ka marrë disa vendime që kanë pasur synim zbutjen e kësaj tronditjeje”, tha ai.
Ai pyeti në vazhdim se çka do të ndodh me inflacionin nëse edhe çmimet e energjisë rritën në vazhdim, duke pohuar se kjo do ta bënte edhe më të zbehtë të ardhmen e Kosovës.
“Kur japim parashikime, janë në këtë mjedis kur ka rreziqe, është e vështirë të parashikohet saktë. Ajo që parashikohet të ndodh, është ulja e çmimeve dhe me këtë rast Kosova do të përfitojë gjallërim ekonomik. Tani poenta është se çfarë do të ndodhet nëse çmimet e energjisë rriten, natyrisht këto tronditje e bëjnë të ardhmen më të zbehtë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, shefi i FMN-së tregoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë kanë dhënë komentet e tyre edhe sa i përket Ligjit të Pagave. Ai sugjeroi që të largohet arbitrariteti te pagat dhe të mos cenohet sistemi i drejtësisë.
“Ajo që presim nga Ligji i pagave është që duhet të rritet paanshmëria e sistemit të drejtësisë, do të ulen shtesat. Eliminim i arbitraritetit të pagave. Kemi parë që një punëtor i një ministrie paguhet më shumë sesa një punëtor i një ministrie tjetër, ndonëse e kryen punën e njëjtë. Ne kemi komentuar gjithashtu që Ligji duhet të fokusohet në shkathtësitë e profileve”, përfundoi Di Bella.
Ndërkohë, ministry i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se Kosova përgjatë dy viteve të fundit është përballur me shumë sfida.
Ai gjatë konferencës së përbashkët me udhëheqësin e Misionit të FMN-së, Gabriel Di Bella, shtoi se Kosova tani është në prag të hyrjes në dimër pa e pasur shumë të qartë mungesën e energjisë elektrike.
“FMN vazhdon ta mbështesë Kosovën në fushën e taksave dhe në politikën fiskale. Gjatë dy viteve të fundit kemi pasur disa sfida, siç ishin pandemia, lufta në Ukrainë dhe tani kemi edhe një problem, që po hyjmë në një dimër pa pasur shumë të qartë mungesën e energjisë elektrike”, tha Murati.
Mirëpo, siç tha ai, Qeveria është munduar që t’i adresojë problemet në disa sektorë, si në infrastrukturë, shëndetësi e arsim, duke shtuar buxhetin. /Buletini Ekonomik/