Dy të tretat e gjermanëve po shpenzojnë më pak për shkak të inflacionit rekord

Pothuajse dy të tretat e konsumatorëve në Gjermani po shpenzojnë më pak para për shkak të inflacionit rekord, njoftoi Shoqata e Zyrave Gjermane të Mbrojtjes së Konsumatorit (VZBV).

“Pothuajse dy të tretat e të anketuarve shpenzojnë më pak para për shkak të inflacionit dhe 20 për qind e tjerë besojnë se do t’u duhet të ulin shpenzimet në të ardhmen”, njoftoi presidentja e VZBV, Ramona Pop.

Shumica më e madhe, 61 për qind e tyre, kursejnë kur blejnë sende ushqimore dhe 56 për qind kursejnë kur blejnë rroba dhe këpucë. Për shkak të rritjes së çmimeve me pakicë, një e treta e të anketuarve përdorin më pak veturën e tyre. Një e treta e të anketuarve kanë deklaruar se po fluturojnë më pak për shkak të rritjes së çmimeve, raporton zdf.

Reklama e sponzorizuar

Inflacioni në muajin tetor ishte 10.4 për qind, dhe inflacioni rekord është ndikuar më së shumti nga rritja e çmimeve të energjisë. Mesatarisht, çmimet ditore të ushqimeve u rritën me 20.3 për qind. Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, më së shumti u rritën vaji i ushqimit (49,7 për qind), produktet e qumështit dhe vezët (28,9 për qind), buka dhe drithërat (19,8 për qind).

Rritjen më të madhe të çmimeve në sektorin e energjisë e ka shënuar gazi natyror, i cili është 109.8 për qind më i shtrenjtë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Karburanti për makina është mesatarisht 22.3 për qind më i shtrenjtë. Në të njëjtën kohë, sondazhi i VZBV tregoi se konsumatorët janë të gatshëm të ndryshojnë zakonet e tyre të blerjes nëse kjo do të kontribuonte në ngadalësimin e ndryshimeve klimatike.

Gjithashtu u tregua se 75 për qind e të anketuarve janë gati të veshin rrobat e tyre ekzistuese për më gjatë në vend që të blejnë të reja. 45 për qind e tyre thanë se do të hiqnin dorë nga blerja e pajisjeve të reja elektronike nëse të vjetrat mund të riparoheshin.