Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan i miratuar nga Qeveria e Kosovës po konsiderohet i dëmshëm nga ekonomistët. Ish-ministri i Financave dhe ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, e konsiderojnë edhe si anti-kushtetues.
Sipas tyre, ky ligj do t’i dëmtojë ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke shtuar se ekonomia e tregut të lirë nuk toleron caktim të çmimeve.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka adresuar një varg kritikash në drejtim të Qeverisë.
Ai për Ekonomia Online, ka thënë se ekonomia e tregut nuk pranon caktim të çmimeve, dhe si e tillë është edhe anti-kushtetues.
“E kam një mendim që siç duket ka një predispozite majtiste e kësaj Qeverie, i konvenon një situatë e tillë, ku gjene arsye për të nxjerrë këso ligje me të cilat shteti ndërhynë në ekonomi, edhe tash motivi kinse standardi jetësor e kategoria e të varfëve dhe po duan t’i mbrojnë duke caktuar çmimet tavan për produktet e domosdoshme të konsumatorit”, u shpreh Shatri.
“Unë mendoj se kjo është në kundërshtim me parimet tona kushtetuese, të cilat janë të qarta dhe të përcaktuara për ekonominë e tregut të lirë. Ekonomia e tregut të lirë nuk toleron caktim të çmimeve në tregun e mallrave që shiten në konkurrencë të lirë. Shumë kompani nuk mund të qëndrojnë në treg, ato falimentojnë e ato që i qëndrojnë kësaj, ose do të na sjellin mallra të një cilësie të dobët për të përballuar çmimin”, u shpreh tutje Shatri.
Ndonëse është kundër të njëjtit projektligj, Shatri kërkon nga shteti që t’i shpeshtojë kontrollet tek këto biznese.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që disa subjekte ekonomike e keqpërdorin këtë situatë dhe i rrisin çmimet enormë pa ndonjë arsye. Në rregull te t’i rritin, por për çka janë ATK-ja e Dogana e Kosovës, pra janë me i përcjellë, ai që i rrit çmimet, i rritet edhe TVSh-ja dhe Tatimi në Fitim edhe paguan për këtë”, u shpreh Shatri.
Kundër këtij Projektligji është shprehur edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu. Ai për Ekonomia Online, thotë se me këtë Projektligj, ndërmarrjet e mesme do ta kenë të vështirë mbijetesën.
“Unë besoj që Kosovës po i mungon një dialog i mirëfilltë i publiko-privat dhe në këtë drejtim po bien vendime në eufori. Besoj se ekonomia e tregut e ka një kuptim pak më ndryshe sesa ajo që mendohet në Kosovë dhe kam dron se nëse vije deri te fillimi i zbatimit të një ligji të tillë për çmimet tavan edhe për produktet esenciale, do të jetë një grusht për sektorin privat, do të jetë një grusht për ndërmarrjet e mesme dhe nëse ndërmarrjet e mesme do të jenë të atakuara, do të jetë e vështirë për të mbijetuar ekonomikisht”, thotë Gërxhaliu për EO.