Situata elektroenergjetike në vend: Aktualisht në funksion 2 njësi të Kosovës A dhe dy të Kosovës B

Brenda 2-3 ditësh është planifikuar në KEK, që edhe në bllokun B2 të bëhet një remont verifikues, i cili do të zgjasë rreth 8 ditë. Siç kanë njoftuar zyrtarët e KEK-ut për Buletinin Ekonomik, B2-shi duhet të shkojë në remontin e planifikuar më 8 nëntor, dhe njësoj sikundër ndodhi gjatë javës së kaluar për disa ditë kur B1-shi ishte në një remont krejtësisht identik, gjatë ditëve sa do të mungojë energjia e prodhuar në B2, e njëjta do të kompenzohet nga importi.

Buletini Ekonomik

Aktualisht në prodhim gjenden 2 njësi (blloqe) të termocentraleve Kosova A (A3 dhe A4) dhe dy të Kosovës B (B1 dhe B2). Këto, praktikisht, tani për tani janë kapacitetetet elektroenergjetike në dispozicion për të prodhuar rrymë për nevojat e Kosovës. Do të duhej të ishte edhe blloku A5, i termocentraleve Kosova A, por, siç dihet, ai nuk është në punë që nga fillimi i korrikut, për shkak se në të ishte paraparë të bëhet remonti kapital. Por, për shkak, siç theksojnë në KEK, të pamundësisë për të kontraktuar një punëkryes të remontit kapital, ky bllok me kapacitet rreth 150 megavatë-orë, ende është në “pushim” pasi që ende nuk ka filluar remonti i detajuar, që sipas parashikimeve duhet të zgjasë diku rreth 3 muaj, dhe ç’është më keq, ende as që dihet se kur do të fillojë ky remont i planifikuar në këtë njësi prodhuese të Kosova A. Kështu kanë thënë për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut, që sipas të cilëve, përkundër dhjetëra ftesave ndaj operatorëve të ndryshëm të jashtëm (punëkryesve të remontit), ende nuk ka të interesuar për ta marrë përsipër punën për rehabilitimin e tërësishëm të A5-shit.

Blloku B1, që ishte në remont disa ditorë (njëfarë revizioni për të verifikuar gatishmërinë teknike të tij për ditët dimërore), nga e mërkura (2 nëntor 2022) është kthyer në punë pas 4 ditësh, kështu që të dy blloqet e Kosovës B, këtyre ditëve i prodhojnë mesatarisht rreth 520 megavatë-orë energji elektrike, ose secili bllok nga 260 megavatë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa dy blloqet që vazhdojnë të jenë të aktivizuara në termocentralet Kosova A, A3 e A4, që të dyja bashkarisht prodhojnë rreth 260 megavatë, ose secila veç e veç nga 130 megavatë-orë. Po të llogaritet gjithsej prodhimi aktual në këto katër njësi të prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e vendit që janë funksionale, del që blloqet B1, B2 dhe A3 e A4 po prodhojnë bashkarisht diku rreth 780 megavatë-orë rrymë. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar plus rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Dhe kjo sasi, sipas zyrtarëve të KEK-ut, tani për tani është thuaja e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës gjatë këtyre ditëve.

Me këtë sasi aktuale që prodhohet në termocentralet kosovare dhe me konsumin ditor të sipërpërmendur, Kosova nuk ka nevoja për të importuar rrymë. Por, në rastet, kur për shkaqe teknike të paparashikuara, por edhe të ndonjë remonti të planifikuar në ndonjërin bllok të termocentraleve, atëherë situata ndryshon. Kështu ndodhi, javën e kaluar, kur për 4-5 ditë blloku B1 ishte në remont të planifikuar dhe kur për këto ditë Kosovës i mungonin 260 megavatë, aq sa normalisht prodhon B1-shi. Dhe, në ditët kur B1-shi ishte në remontin e planifikuar, kushtimisht mungesa e rrymës për nevojat e konsumit të vendit është kompenzuar me energji të importuar nga tregjet e jashtme të energjisë.

Sasia e energjisë së importuar derisa ishte jashtë procesit të punës B1 shi, ishte diku 200 megavat-orë, kanë thënë për Buletinin Ekonomik, zyrtarët e KEDS-it. Kjo është situata aktuale elektroenergjetike në vend.

Ndërkohë,, brenda 2-3 ditësh është planifikuar në KEK që edhe në bllokun B2 të bëhet një remont verifikues, i cili do të zgjasë rreth 8 ditë. Siç kanë njoftuar zyrtarët e KEK-ut për Buletinin Ekonomik, B2-shi duhet të shkojë në remontin e planifikuar më 8 nëntor, dhe njësoj sikundër ndodhi gjatë javës së kaluar për disa ditë kur B1-shi ishte në një remont krejtësisht identik, gjatë ditëve sa do të mungojë energjia e prodhuar në B2, e njëjta do të kompenzohet nga importi. Kurse dimri, dihet, do të diktojë rrethana të tjera elektroenergjetike në Kosovë, kur pritet të ketë goxha mungesë të rrymës.

Se a do të ketë para Kosova për ta importuar energjinë që do t’i mungojë, mbetet të shihet. Ndërsa, racionalizimi i shpenzimi të rrymës, ose kursimi aty ku ka mundësi të bëhet, mbetet opsioni i vetëm i mundshëm për t’ia lehtësuar sado pak vetvetes pasojat e mungesës së energjisë gjatë dimrit. Sepse, në muajt e acartë, çmimi i energjisë elektrike parashihet të jetë edhe sivjet shumë i lartë dhe për Kosovën e varfër edhe financiarisht goxha vështirë të sigurohet importi i domosdoshëm. Ndërsa, nëse vazhdon të mbajë kjo kohë pa të reshura të bollshme, edhe shpresat nga këmbimi i energjisë elektrike, përkatësisht nga kthimi i borxhit të rrymës së deponuar në KESH, do të jenë fare të zbehta.

Siç dihet, sipas marrëveshjeve ndërmjet dy koorporatave elektroenergjetike të Kosovës dhe të Shqipërsisë, për ta këmbyer/shkëmbyer rrymën ndërmjet të dy shteteteve shqiptare, Kosova ka deponuar në këta muaj të sivjetshëm një sasi goxha imponuese të rrymës. Bëhet fjalë për rreth 150 mijë megavatë-orë që është deponuar tashmë në KESH. Por, me këtë gjendje të akumulimit të paktë të ujit në liqenet e hirocentraleve në Kaskadën e Drinit, Kosova ka fare pak mundësi të shpresojë te borxhi nga energjia elektrike e deponuar në KESH. /Buletini Ekonomik/