Inflacioni- sinjal për një bashkërendim të dialogut publiko – privat

Fotografi ilustruese

Rritja e inflacionit në Kosovë, do të duhej të ishte një sinjal për një bashkërendim të dialogut publiko – privat për zbutjen e krizës ekonomike në vend. Kështu thonë për Radio Kosovën ekspertë të ekonomisë, duke ritheksuar se lufta Rusi-Ukrainë, ka krijuar një destabilizim ekonomik në të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën.

Rritja e inflacionit në Kosovë, përkthehet me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore. Në raportin e fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se deri në muajin gusht inflacioni ka shënuar 13 për qind. Duke folur për Radio Kosovën, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se me kalimin e kohës, Kosova po shndërrohet në një shtet social, për shkak të mungesës të dialogut publiko –privat.

“Në qoftë se vazhdohet kështu më këtë trend social, çdo tentativë politike do të jetë e dështuar. Inflacioni po e gëlltitë çdo trend pozitiv në Kosovë, një dëshmi e kësaj është se masat e qeverisë kanë qenë të vonuara, masat të politizuara dhe jo të analizuara dhe jo në partneritet me sektorin privat. Në Kosovë ky vit po kalon me 10 për qind të investimeve kapitale, është një ngufatje për ekonominë”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se fuqia për të ndaluar inflacionin në Kosovë është e vogël.

“Ky vit do të mbyllet me inflacion të lartë. Nëse lufta në Rusi e Ukrainë do të përshkallëzohet, do të krijojë edhe më shumë turbulencë, por nëse ndalet atëherë viti 2023, mund të jetë një vit që mund të sjellë një fillim të stabilizimit ekonomik, rënies së inflacionit e cila do të jetë rezultat i politikave ndërkombëtare kundër inflacionit”, tha Shahini për Radio Kosovën.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se duhet të ketë një mundësi për partneritet dhe implementim të projekteve, sepse në të kundërtën, trendi i vështirë ekonomik do të bartet edhe në vitin 2023. /RadioKosova/