Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë, Osmani: Gratë afariste e kanë të hapur derën e zyrës time për mbështetje

Në ambientet e SuchiCo Kosova, nën organizimin e Presidencës së Kosovës dhe Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), gjatë të hënës është bërë hapja e Javës Globale të Ndërmarrësisë (GEW).

Jubilari i edicionit të sivjetmë, i 10-ti me radhë, bënë bashkë mbi 70 organizata, biznese, donatorë dhe institucione partnere, me mbi 100 aktivitete, të cilët shënojnë këtë javë, prej datës 14-20 nëntor.

Në fjalimin e tij hyrës, drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu tha se në këto kohë të vështira si në aspektin ekonomik dhe në të gjitha aspektet tjera jetësore, GEW bashkon biznese duke sfiduar problematikat ditore.

Reklama e sponzorizuar

Begu tutje iu bëri thirrje të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë në aktivitetet e kësaj jave duke i mbështetur kështu edhe donatorët e GEW-it.

“Në një kohë kur duket se problematikat, ekonomike, sociale dhe kriza botërore po sjell një errësirë mbi ne. Kjo javë na obligon që ne të gjithë bashkërisht të ushqejmë pak shpresë sidomos tek të rinjtë , te gratë dhe komunitetet. Ky aktivitet i fundit i javës bashkon trurin dhe energjinë krijon biznese të reja duke sfiduar problematikat tona shoqërore dhe ditore. Iu inkurajoj komunitetet e tua që padyshim janë me mijëra, të jenë pjesëmarrës në aktivitet e partnerëve të cilët janë prezentë sot, duke i mbështetur ata. Ju ftoj që të tilla aktivitete t’i vizitoni edhe në pika tjera sidomos në Mitrovicë, Prizren, Gjilan e Gjakovë”, tha Begu.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo javë e shndërruar muajin nëntor në muaj të inspirimit për vajzat dhe djemtë që dëshirojnë ta realizojnë ëndrrën e tyre dhe të bëhen të suksesshëm.

“Në këto kohë mjaftë sfiduese, Java Globale e Ndërmarrësisë me një mjeshtëri të veçantë shndërrohet në një javë festive që në fokus e ka bashkimin e ideve dhe mendjeve inovative, individëve të guximshëm, personaliteteve inspiruese dhe vajzave dhe djemve të cilët duan që me ngul t’i realizojnë ëndrrat e tyre në nisma konkrete e të suksesshme”, tha Osmani.

Osmani po ashtu tha se ICK-ja po i kthen sytë e investitorëve të huaj nga Kosova duke organizuar Javën Globale të Ndërmarrësisë.

“Përderisa nëntori për ne është muaj i festave për vite me radhë ICK-ja me partnerët është siguruar që nëntorin ta shndërrojnë në muajin referencë edhe sa i përket inovacionit, zhvillimit të sektorit të TIK-ut, në muajin që edhe në muajin kur investitorë potencial, investitorë dhe financues i kthejnë sytë nga Kosova”, deklaroi ajo.

Ndër tjerash, Osmani falënderoi të gjitha gratë ndërmarrëse në Kosovë duke shtuar se dera e zyrës së saj është e hapur për të gjitha vajzat që dëshirojnë t’i ndjekin hapat e këtyre grave të suksesshme.

“Ndërmarrësia njeh shumë sfida e sfidat kanë qenë dhe mbeten të theksuara për gratë në Kosovë. Andaj sot në veçanti dua të përgëzojë secilën ndërmarrëse, që është sot prezentë dhe për çdo grua dhe vajzë të cilat sot nuk janë prezentë. Ju jeni shembulli më i mirë për gjeneratat e reja sepse jeni dëshmia më e pastër se kur ka punë dhe përkushtim suksesi nuk mungon. Për të gjitha ju që dëshironi t’i ndjekni këta hapa dera e zyrës sime është e hapur gjithmonë”, përfundoi Osmani. /Telegrafi/